Si duhet ta lexojmë arrestimin e Fullanit?

07/09/2014 00:00

Ilir Yzeiri – Ka shumë mënyra për ta lexuar këtë ngjarje të bujshme.

Arrestimi i Guvernatorit të Shqipërisë, me kohë, erdhi dhe u bë gati një sport kombëtar. Hetimet vazhdonin, por të paktë ishin ata që mendonin se, qoftë edhe në mënyrë formale, Guvernatori i supermbrojtur nga të gjitha anët e politikës dhe të medias, Guvernatori që siguroi edhe një vizitë në zyrën e tij me ambasadorin e SHBA-së, Arvizu, njeriu që ngjalli një antipati kolektive të padëgjuar më parë, një natë do të përfundonte në qeli bashkë me Inspektoren e Përgjithshme që kishte sfiduar Komisionin e Ekonomisë para disa ditësh. Prokuroria ka qenë në shënjestër të opinionit publik dhe është akuzuar se nuk po heton korrupsionin e jakave të bardha. Besimi i publikut për sistemin e drejtësisë është më i ulëti i mundshëm dhe ky sistem është një nga hallkat më të dobëta të demokracisë shqiptare që ka prodhuar një shoqëri e cila, në të shumtën e rasteve, komandohet nga pasionet kriminale të koalicioneve që ndërtohen mes politikës dhe krimit të organizuar. Bash atëherë kur të gjithë mendonin se Guvernatori i Shqipërisë mund edhe të merrej i pandehur, por nuk mund të arrestohej, ai vihet në pranga. Çfarë ka ndodhur?

Berisha, Ina Rama dhe komunari i Bërzhitës

Java që po mbyllet pati edhe disa lajme me interes, por që u zvogëluan nga përmasat e njoftimit për arrestimin e Guvernatorit të Shqipërisë. Kështu, një institucion ndërkombëtar që merret me hartimin e listës së njerëzve më të pasur të botës, përmendte se në Shqipëri ndodhen 50 miliarderë dhe ky numër i lartë në raport me numrin e popullsisë, i kishte befasuar shumë analistë, ngaqë Shqipëria është edhe ndër vendet më të varfra të Europës. Po në këtë vazhdë sqarohej edhe motivi i arrestimit të komunarit të Bërzhitës. Sipas këtij njoftimi, thuhej se ai kishte fshehur as më pak e as më shumë po 1.5 milionë dollarë dhe 150 mijë euro. Pra e përfytyroni, një kryetar komune ka të fshehur gjithë këtë pasuri, mendoni për kryetarët e bashkive, ministrat, drejtorët e policive, gjykatësit, prokurorët dhe shtetarët, pasuria e të cilëve kulmon në mënyrë tragjike me atë të familjes Berisha, e cila nga viti 2004 e deri më sot është shtuar me mijëra herë. Shkurt, Guvernatori i Shqipërisë që sot ndodhet i akuzuar për shpërdorim detyre, është vetëm njëri prej pjesëve të këtij sistemi kriminal që është instaluar në Shqipëri. Kasta e hajdutëve dhe abuzuesve me pasurinë publike është shumë e gjerë dhe shumë e sofistikuar. Nga ana tjetër, është edhe ekonomia kriminale e shqiptarëve që kanë vënë pasuri duke shitur drogë dhe duke qenë në krye të rrjeteve të trafikimit të personave. Vrasja me telekomandë e Brahimajt në Vlorë është një shembull i qartë. Pikërisht një sistem i tillë, i kalbur dhe kriminal e trimëroi Berishën dhe Lulzim Bashën që më 21 janar vranë katër protestues. Kur Ina Rama kërkoi arrestimin e gjashtë titullarëve të Gardës së Republikës, kreu i këtij sistemi kriminal, Berisha, e sfidoi atë, e trembi prokurorinë dhe i dha një goditje shkatërruese këtij sistemi. Ai krijoi modelin e prokurorit Tomë Ndreca që vihet në dispozicion të krimit politik dhe e siguron atë se është vegël e bindur e tij.

A u bë e virgjër prokuroria brenda një nate?

Nuk e besoj. Është po kjo prokurori që ka mbyllur çështjen e 21 janarit, atë të Rrugës së Kombit, abuzimet me fondin e reklamave të Arben Imamit e plot të tjera. Por, natyrisht diçka ka lëvizur. Sipas mendimit tim, prokurorët që vendosën arrestimin e Guvernatorit nuk kanë më frikë. Ata, mesa duket, nuk janë më nën presionin e politikës dhe të qeverisë. E përfytyroni se çfarë do të kishte ndodhur po të ishte kryeministër Sali Berisha? Ai, ashtu siç bëri me çështjen e Gërdecit, do të kishte dalë përditë në konferenca shtypi dhe do t’i kishte kërcënuar edhe me jetë prokurorët e Fullanit. Ai e bëri këtë, e mbrojti Fullanin dhe kërcënoi se vendi do të futet në kaos, por prokurorëve tanë tashmë u ka dalë frika dhe e dinë se ai njeri nuk ekziston më si politikan dhe mesa duket, një klimë tjetër po krijohet. Ajo që ka ndodhur është shenja e parë e reformës së thellë që do të duhet të bëhet në sistemin e drejtësisë.

Jo heronj, por njerëz normalë e të virtytshëm

Ajo që ndodhi me arrestimin e Guvernatorit të Shqipërisë, sipas meje, duhet lexuar edhe si shenjë e një klime të re që është krijuar në vend. E kam përmendur edhe herë të tjera dhe do të vijoj të ngulmoj sesa herë që kjo qeveri kryen punë të mbara, ajo duhet mbështetur. Edi Rama ia arriti që ta përmirësojë në mënyrë rrënjësore imazhin e Shqipërisë jashtë vendit. Ai, gjithashtu, me stilin perëndimor të sjelljes si Kryeministër, ia arriti që të krijojë figurën normale të një kryeministri, figurë që ishte shfytyruar gjatë qeverisjes së Berishës. Edi Rama nuk i kërcënon dhe nuk i tremb prokurorët dhe gjyqtarët, nuk ndërhyn qoftë në mënyrë të hapur qoftë në mënyrë banditeske si cub që të diktojë se cili duhet futur në burg e cili duhet lënë të vjedhë e të vrasë. Të mos harrojmë se ai ka një fuqi parlamentare të frikshme. Mirëpo, mesa duket, ai ka zgjedhur që të respektojë ndarjen e pushteteve dhe kërkon që reforma e thellë në drejtësi më së pari nis me mosndërhyrjen në punët e tyre. Kjo është një shenjë e mjaftë se reforma në këtë sistem, që deri tani të gjithë e kemi çmuar si të kalbur, ka filluar. Ndaj edhe gjesti i prokurorëve që firmosën arrestimin e Fullanit, nuk është një gjest prej heroi, por një gjest normal i një nëpunësi të Republikës që paguhet nga taksat tona që të na ruajë nga hajdutët dhe kriminelët.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA