“Reagim në kushtet e mbijetesës”

07/09/2014 00:00

Për kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka qëndrimi jashtë Parlamentit i opozitës është vendimi më i natyrshëm që ajo mund të merrte.

Në një intervistë për Top Channel, zoti Paloka bën një analizë që e çon në përfundimin se Kryeministri Rama e ka dizenjuar që në fillim shkeljen e të drejtave kushtetuese të opozitës dhe agresionin fizik ndaj saj.

“E vetmja fjalë që mbajti, kur u hap Parlamenti dhe ne protestuam kundër dhunës ishte kur na tha se nuk keni parë gjë akoma dhe vërtet këtë fjalë ai e mbajti në çdo mënyrë, në çdo formë e dhunoi këtë opozitë, po dhunon dhe qytetarët, jo vetëm ata që përfaqësojnë opozitën, por edhe qytetarët e dobët dhe të pafuqishëm”, deklaroi Edi Paloka.

Kreu i deputeteve demokratë nuk është nga ata që beson se Kryeministri Edi Rama mund të ndryshojë sjelljen ndaj opozitës, prandaj ai thotë se Partia Demokratike është e motivuar për të reaguar në çdo formë demokratike.

“Rama po e vendos opozitën në kushtet e mbijetesës. Do të ekzistojë apo jo opozita? Mund të duket e ekzagjeruar e thënë në këtë mënyrë, por unë kështu e shoh. Rrezikojmë ose Rama mbase ëndërron ta kthejë Shqipërinë në një vend si Rusia e sotme, ku Putini bën gjithçka. Emëron opozitën, e burgos, bën ç’të dojë me atë quhet opozitë dhe praktikisht aty nuk ka opozitë. Mbase këtë ëndërron të bëjë dhe Rama, por në Shqipëri nuk mund të ndodhë kjo. Ne jemi në kushte mbijetese. Dhe do të reagojmë si në kushte mbijetese”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PD.

Për kreun e Grupit Parlamentar demokrat qëndrimi jashtë Parlamentit dhe aksionet e  tjera opozitare shikohen edhe si një formë për të sensibilizuar qytetarët të reagojnë kundër veprimeve arbitrare të qeverisë.

“Nuk flitet për mbijetese deputetësh, por për mbijetesë demokracie dhe opozite dhe po kërkojmë të sensibilizohen qytetarët. Ne po kërkojmë të sensibilizojmë edhe qytetarët për këtë gjë, që nesër të mos jetë vonë”, shtoi Paloka.

Top Channel