Kryeministri Edi Rama është takuar me Presidentin e Republikës Bujar Nishani, me të cilin ka diskutuar dhe ka ndarë pikëpamjet në lidhje me situatën më të fundit të krijuar në Bankën e Shqipërisë.

Siç thekson edhe njoftimi i zyrës së shtypit të Kryeministrisë, pikëpamjet e tyre kanë qenë plotësisht konvergjente lidhur me domosdoshmërinë e sigurimit të një vijimi sa më të qëndrueshëm të punës së Bankës.

Kjo duke mbajtur parasysh, thuhet më tej, qoftë forcimin e pavarësisë së institucionit, qoftë garantimin e standarteve më të larta të profesionalizmit në drejtim të Bankës së Shqipërisë.

Gjithashtu kryeministri është takuar edhe me guvernatoren në detyrë, Elisabeta Gjoni dhe anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës.

Sipas burimeve zyrtare, Rama ka shprehur qëndrimin e qeverise dhe të shumicës qeverisëse që mbështet pavarësinë e Bankës së Shqipërisë. Sipas zyrës së shtypit, kryeministri ka shprehur besimin e plotë se Banka e Shqipërisë do të dalë më e fortë, më transparente nga ky proces i vështirë, por i shëndetshëm ndryshimi, në një kohë kur sistemi bankar në tërësi është solid dhe në rritje të ndjeshme.

Zëra të pakonfirmuar pranë Kryeministrisë thanë se Rama do të vizitojë të hënën edhe  selinë e Bankës së Shqipërisë për t’i dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë ekipit teknik që garanton vazhdimësinë normale të përditshme të këtij institucioni.

Top Channel