Pavarësisht se jo një samit zgjerimi, Uellsi diskutoi anëtarësimet e reja për 4 vendet aspirante, tre nga të cilat fqinjët tanë ballkanik.

Mali i Zi mesa duket do të jetë anëtari i 29 i NATO-s, Bosnja duhet të zgjidhë ngërçin politik, ndërsa Maqedonia është vendi në stanjacion, ku përveç emrit, vendet aleate i kanë kërkuar edhe trajtimin e barabartë të shqiptarëve dhe maqedonasve atje, qëndrim që Shqipëria, megjithë mbështetjen për politikën e dyerve të hapura, e ka parë si mekanizmin e duhur të presionit.

“Apeli i gjithë vendeve pjesëmarrëse është për një bashkëjetesë më të mirë, për zbatim rigoroz të Marrëveshjes së Ohrit dhe për reforma në shtetin e së drejtës, si dhe respektimin e medias”, deklaroi ministri i Jashtëm, Dirmit Bushati.

Si një vend i vlerësuar në samitin e Uellsit, për kontributin brenda NATO-s dhe po aq për kontributin e paqes në rajon, Shqipëria kërkoi prezencë më të madhe të Aleancës në Ballkan, pavarësisht se kur do të ndodhë procesi i zgjerimit.

Kjo, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike me rajonet e trazuara në Europë dhe kërcënimit që vjen prej tyre, por edhe për shkak se fenomeni i ekstremizimit ka gjetur më shumë terren në Ballkan, për shkak të kushteve social-ekonomike.

Këmbëngulja e Shqipërisë përmes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati ishte vendosja e një marrëdhënijeje të struktuar NATO-Kosovë, për t’i siguar asaj të njëjtën marrëdhënie si me BE-në.

“Këtu është e nevojshme që përfundimisht Ballkani të konsiderohet zonë gjeografike nën influencën e plotë të NATO-s, pavarësisht se kur mund të ndodhë zgjerimi. Dhe në këtë drejtim ne kemi kërkuar që të bëhet normalizimi i marrëdhënieve NATO-Kosovë, të jenë marrëdhënie të strukturuara si ato Kosovë-BE, për të luftuar këtë fenomen”, shtoi Bushati.

Top Channel