Monika Shoshori Stafa – Vetëm një vit më parë, romët u vendosën në qendër të buletineve informative, atëherë kur u raportua se një vajzë bionde me gërsheta u shfaq mistershëm në një kamp romësh në Greqi.
Vajza e vogël 4-vjeçare, e bardhë, me sy bojëqielli dhe flokë të verdhë, u gjet nga policia greke në një kamp romësh në afërsi të Athinës, teksa jetonte me njerëz që nuk rezultuan të ishin familja e saj. Ajo ngjalli dyshimin e efektivëve, për shkak të tipareve shumë të çelura dhe faktit se nuk kishte kurrfarë ngjashmërie me ata që pretendonin se ishin prindërit e saj. Edhe një herë, romët u vunë nën fokusin e paragjykimeve dhe shpifjeve qoftë dhe gazetareske, ende të paverifikuara deri në prova të pakundërshtueshme. Historinë më të fundit për të e kemi dëgjuar teksa gazetarë të huaj shkruanin mbi rrëmbimin e pretenduar të vogëlushes nga ciganët, ndërsa përshkruanin disa stereotipa të njohur lidhur me sjelljen e romëve në shoqëritë ku gjinden si: akuzat për aktivitete kriminale, për përfitime në kurriz të të tjerëve, apo të tilla që i përkasin periudhës viktoriane si përrallat e vjetra aq të njohura që bënin fjalë për rrëmbimin e fëmijëve të bukur nga ciganët e harbuar. Si një nga grupet më të mëdha e më të dizavantazhuara të pakicave në Europë, është e vetëkuptueshme përse romët kanë qenë e do të jenë vazhdimisht nën fokusin e një objekti sulmesh diku me tallje e diku me përçmim. Sipas një vështrimi të përgjithshëm, mbulimi që i bën media ngjarjeve kriminale ku përfshihen romë, janë shumë më të zakonshme në Euoropën Kontinentale sa ne mund ta mendojmë. Dëbimi i romëve p.sh., nga Franca, mori një dënim ndërkombëtar, pak kohë më parë e megjithatë, kjo nuk i pengon partitë e krahut të djathtë të targetojnë me gjuhën e urrejtjes gjatë fushatave të tyre elektorale, këtë pakicë vulnerabël.
Po kush janë romët?
Romët kanë një histori të gjatë, që kur ata mbërritën në Europë me një prani të regjistruar që nga shekulli i 13-të. Ata janë gjerësisht të njohur si një nga grupet më të mëdha të pakicave në BE. Ata kanë kapur shifrën e më shumë se 10 milionëve vetëm në kontinentin europian. Termi “Roma” është përzgjedhur për herë të parë në Kongresin Botëror të Romëve mbajtur në Londër në vitin 1971, një term i pranuar tashmë gjerësisht në të gjithë Bashkimin Europian, si një fjalë gjithashtu e mirëpërcaktuar që përgjithëson në mënyrë pragmatike një gamë të larmishme të komuniteteve, fiseve dhe klaneve të tyre.
Ku jeton më së shumti popullsia rome?
Mbledhja e të dhënave lidhur me numrin e saktë të romëve në të gjithë BE-në është tepër e vështirë. Shumë shtete e kanë të ndaluar mbledhjen zyrtare të të dhënave, sipas përkatësisë etnike e madje edhe vlerësimet joformale janë të vështira për t’i pasur, duke pasur parasysh nivelin e ulët të angazhimit nga shërbimet me popullsi rome. Megjithatë, informacionet që vijnë nga studimet e huaja flasin për dy përfundime paraprake. Së pari, popullsia rome gjendet e pranishme në një raport të ndryshëm shifror në të gjithë Europën. Numri më i lartë i popullsisë gjendet në shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore, si Bullgari, Maqedoni, Sllovaki, Rumani, Serbi dhe Hungari. Në këto vende, romët përbëjnë mes 7-10% të popullsisë së përgjithshme. Në shumicën e shteteve të tjera, romët përbëjnë rreth 1% ose më pak të popullsisë. Së dyti, ka dallime të mëdha mes shifrave “zyrtare” të këtij minoriteti dhe atyre të dhëna nga organizatat joqeveritare (OJQ -të) aktive në këtë fushë. Çështjet me të cilat ballafaqohen romët janë komplekse, shumë të gjera dhe shpesh të vulosura prej shekujsh. Studimet për ta e përshkruajnë jetën e tyre si një komunitet që jeton në një vend në zhvillim. Shëndeti i dobët, niveli i ulët i arsimimit, papunësisë, standardet e dobëta të akomodimit dhe diskriminimi në shërbime janë tipike në të gjitha shtetet ku gjendet ky komunitet.
Popullsia rome në Shqipëri
Të vendosur në territorin shqiptar prej shekujsh, romët dhe më pak egjiptianët, kanë mundur të ruajnë traditat dhe kulturën e tyre. Historikisht, marrëdhëniet midis tyre dhe shqiptarëve etnikë kanë qenë të distancuara, por në ndryshim nga shumë vende të tjera të Europës, në Shqipëri nuk ka pasur konflikte dhe persekutime raciale. Ndërkaq, burime të pavarura thonë se këto grupe në Shqipëri përfaqësojnë rreth 5% të popullsisë. Në ndryshim nga grupet e tjera etnike, romët dhe egjiptianët nuk kanë një atdhe historik, nuk kanë përfaqësi diplomatike ose marrëveshje dypalëshe për mbështetje apo shkëmbime kulturore dhe ekonomike afatgjata. Duke pranuar rëndësinë e integrimit të plotë dhe duke reflektuar për detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit me BE-në, në vitin 2003, qeveria shqiptare ka hartuar një strategji për integrimin ekonomik dhe shoqëror të komunitetit rom. Po kështu, në vitin 2008, Shqipëria u bë pjesë e Dekadës së Përfshirjes së Romëve (2005- 2015), një përpjekje 10-vjeçare për t’i përfshirë ata në gjirin e shoqërive europiane. Gjatë periudhës së tranzicionit, romët dhe egjiptianët, si pasojë e kolapsit dhe mbylljes së ndërmarrjeve shtetërore, karakterit të njëanshëm profesional të tyre, arsimimit të ulët dhe diskriminimit kaluan nga një mirëqenie relative në varfëri të skajshme. Ata përbëjnë aktualisht grupet më të varfra në Shqipëri.
Çfarë po bëjmë ne?
Ka ende përpjekje ndër nesh edhe në nivele të larta dhe të ulëta qeverisëse, por dhe ato që ndihen në nivel europian për t’u kthyer prapa në histori, në pozicionin arkaik të fajësimit të romëve dhe egjiptianëve për sëmundjet e një vendi. Për fat të keq, megjithatë, duhet ta pranojmë se shtetet anëtare të BE-së kanë një tendencë për t’iu përgjigjur perceptimit (kryesisht negativ) që vjen prej romëve, pa marrë parasysh arsyet pse romët zënë gjithmonë pozitën e një minoriteti të pambrojtur. Këshilli i Europës është duke u përpjekur për të konsoliduar përpjekjet e vendeve anëtare të saj për të bërë përmirësime të prekshme për jetën e romëve, duke inkurajuar zhvillimin e Strategjive Kombëtare për Integrimin e Romëve. Por që gjithsesi ka një konfuzion për mënyrën se si duhet trajtuar kjo çështje kaq e ndërlikuar dhe e ngarkuar madje politikisht, vlerësojnë vetë ata. Një qasje më humaniste ku, ne të mund të ndanim kriminalitetin e disave kundrejt prosperitetit të së ardhmes së një grupi të tërë etnik, do të ish një fillim i suksesshëm, shtojnë burime zyrtare në KE. Mediat janë partnerët tanë kryesorë dhe ata janë të vetmit zëra të fortë për të ndihmuar strategjinë tonë në përfshirjen sociale të këtyre pakicave. Sigurisht, që e kanë bërë, por do të duhet ta bëjnë më shumë se në të kaluarën, përfundojnë ata.
Top Channel