Kryeministri Edi Rama sapo është kthyer nga Uellsi është vënë në lëvizje për menaxhimin e situatës së krijuar në Bankën e Shqipërisë, pas arrestimit të guvernatorit Ardian Fullani.

Sipas një njoftimi për shtyp nga selia e Kryeministrisë, zoti Rama ka kontaktuar tashmë ekspertë vendas e të huaj, ndërsa është takuar me përfaqësues të FMN-së dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Ndër të tjera, në njoftimin për shtyp Rama shpreh mbështetjen për prokurorinë në kryerjen e hetimeve, si dhe garanton ruajtjen e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë.

“Mbështetje prokurorisë dhe drejtësisë për të kryer deri në fund detyrën. Garantojmë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, situata në të cilën do të kapërcehet me autoritet të plotë moral dhe profesional. BSH do të dalë nga kjo situatë më e fortë moralisht, profesionalisht dhe më e pavarur. Shpreh respekt dhe mbështetje për të gjithë teknicienët e BSH. Kjo situatë nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen”, thotë Rama.

Top Channel