Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë shkarkoi të shtunën në mbrëmje guvernatorin e arrestuar, Ardian Fullani. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të thirrur nga zëvendësguvernatorja Elizabeta Gjoni, Këshilli vendosi të largojë nga posti guvernatorin e akuzuar për shpërdorim detyre.
Përmes një njoftimi, Banka e Shqipërisë thotë se pasi mori informacion të detajuar rreth situatës, i propozon Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Guvernatorit Ardian Fullani. Këshilli konstaton se mungesa e Guvernatorit nuk krijon vakum në drejtimin e institucionit, në kushtet kur përcaktimet ligjore dhe nënligjore mundësojnë kalimin e qartë të kompetencave të tij tek zëvendësguvernatori i parë.
Në vijim të njoftimit, Këshilli Mbikqyrës siguron publikun dhe autoritetet e vendit se po ushtron funksionet e tij me përgjegjshmëri të lartë. “Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ofrojë bashkëpunimin e nevojshëm me Kuvendin e Shqipërisë dhe me organet e zbatimit të ligjit, në mënyrë transparente dhe profesionale, me dëshirën për të zbardhur ngjarjen dhe për të sqaruar plotësisht përgjegjësitë e të gjithë personave të marrë nën hetim”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
Lidhur me arrestimin e guvernatorit dhe situatën e krijuar në Bankën e Shqimërisë reagoi edhe qeveria. Përmes një deklarate, zyra e shtypit bën të ditur se kryeministri Edi Rama ka patur një takim me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Mbështetja për Prokurorinë e drejtësinë për të kryer deri në fund punën e nisur dhe garantimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë për ta kapërcyer situatën me autoritet të plotë moral e profesional duhet e do të jenë dy pika të palëvizshme referimi për qeverinë në trajtimin e këtij problemi madhor. Kryeministri e qeveria, në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin do të ndërmarrin me përgjegjshmëri të lartë morale e përgjegjësi të plotë ligjore, të gjithë hapat e nevojshme që Banka e Shqipërisë të dalë më e fortë moralisht, më e sigurtë institucionalisht, më transparente administrativisht dhe padyshim plotësisht e pavarur, nga një situatë si kjo që nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e qeverisë.
NJOFTIMI PËR SHTYP I KËSHILLIT MBIKËQYRËS
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u njoh me ndalimin nga Policia e Shtetit të Guvernatorit, z. Ardian Fullani dhe të Inspektores së Përgjithshme të institucionit zj.Elivar Golemi. Deklarata e Prokurorisë që pasoi, bëri të njohur edhe akuzat që motivuan ndalimin e tyre.
Pas këtyre zhvillimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh dhe mori një informacion të detajuar rreth situatës. Në vijim, Këshilli Mbikëqyrës:
a) vendosi t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në bazë të nenit 47, pika 2, shkronja “c” të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”;
b) konstatoi se mungesa e Guvernatorit nuk krijon vakum institucional në drejtimin e institucionit, në kushtet kur përcaktimet ligjore dhe nënligjore mundësojnë kalimin e qartë të kompetencave të tij tek Zëvendësguvernatori i Parë;
c) shprehu mbështetjen e plotë për Zëvendësguvernatorin e Parë në marrjen e kompetencave për drejtimin ekzekutiv të bankës, dhe vlerësoi pozitivisht masat e marra prej saj për të siguruar vijimësinë normale të veprimtarisë operacionale të institucionit;
Këshilli Mbikëqyrës, siguron publikun dhe autoritetet e vendit që po ushtron funksionet e tij me përgjegjshmërinë më të lartë. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ofrojë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm me Kuvendin e Shqipërisë dhe me organet e zbatimit të ligjit, në mënyrë transparente dhe profesionale, me dëshirën për të zbardhur ngjarjen dhe për të sqaruar plotësisht përgjegjësitë e të gjithë personave të marrë nën hetim. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se falë masave që janë marrë dhe do të merren për përmirësimin e funksionimit të Bankës së Shqipërisë dhe falë profesionalizimit të personelit të saj, ky institucion do të rikthehet për të qenë simbol i krenarisë së shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
Top Channel