Data 23 korrik 2014, Banka e Shqipërisë në një deklaratë publike do të njoftonte se kishte bërë kallëzim penal dy ditë më parë për dy punonjës të saj të Departamentit të Emisionit për përvetësim të vlerave monetare në ngarkim. Sipas këtij njoftimi vlera monetare e vjedhur nuk dihej.

Ky kallëzim penal i bërë nga vetë banka do të shkaktonte një furtunë të vërtet jo vetëm në politikën shqiptare, por edhe në publik.

Prokuroria, e cila mori në dorë hetimet, arrestoi po atë ditë Adrian Bitraj, Mimoza Bruzaj. Shifra e vjedhjes deklarohet fillimisht 400 milionë, duke u rritur çdo orë të hetimeve e duke përfunduar në 7.1 milionë dollarë.

Prokuroria vazhdon hetimet dhe një javë më vonë zgjeron rrethin e të arrestuarve. 6 të tjerë në datën 31 korrik Petrit Ramohitaj, përgjegjës arke, Liljana Tusha, specialiste e Arkës në Veprim, Lavdim Cani, specialist i Arkës së Stokut, Myzejene Belba, specialiste, Dhimtër Davidi, vëzhgues i kamerave të sigurisë.

Kleviz Bejtaj, nipi i njeriut që realizoi vjedhjen dhe person ky rreth të cilit Prokuroria ndërtoi skemën e vjedhjes. Përgjegjësit e arrestuar për shpërdorim detyre, sipas Prokurorisë me veprimet dhe mosveprimet e tyre nuk e ndalën në asnjë rast vjedhjen. Prokuroria deklaron dhe me kërkesën e saj drejtuar gjykatës, për ta quajtur të ligjshëm arrestimin e tyre se kishin patur detyrë për të rakorduar kartëmonedhat që hynin dhe dilnin nga sportelet përkatëse, por nuk e kryen atë. Shkela e tyre u dokumentua edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë.

Hetimet zgjerohen edhe më. Prokurorisë i rezulton se edhe sektori i inventarizimit nuk ka bërë asgjë për të ndalur vjedhjen. Pas marrjes në pyetje të disa prej të ndaluarve të mëparshëm, Prokuroria mësoi se inventarizimi bëhej selektiv, duke i dhënë mundësinë Bitrajt të vazhdonte me realizimin e vjedhjes së tij. Ndaj më 29 gusht, prokuroria ndaloj: Gentian Jahjan, Ilir Dedjan, Emiliano Lamçe, Mehdi Markun, Bahri Allushin, Mehdi Mollën dhe Fatbardha Gurthin, të shtatë anëtarë të inventarizimit, 4 prej të cilëve u lanë nga gjykata më pas në “arrest shtëpiak”.

Asnjë prej tyre nuk konstatoi mungesën e kartëmonedhave as në Arkën Stok dhe as në Arkën në Veprim.

Në datën 5 shtator Prokuroria mbërrin në majën e Bankës së Shqipërisë duke arrestuar Guvernatorin Fullani dhe Inspektoren e Përgjithshme, Elivar Golemi.

Top Channel