“Ua kam dhënë koordinatat e sakta dhe emrat se kush e vrau”/ U paraqit në GJKKO, babai i Ervis Martinajt: Kur dëshmova në SPAK, i thashë të gjitha
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dhe inspektorja e përgjithshme, Elivar Golemi, me shumë gjasa do të jenë në qelitë e paraburgimit, të paktën deri sa të zhvillohet ankesa në Gjykatën e Apelit, pavarësisht njohjes së masës së sigurisë, që pritet të zhvillohet të hënën.
Prokuroria, duke iu drejtuar gjykatës përpara se të kryejë arrestimin e tyre, ka ezauruar të drejtën e mbrojtjes së tyre që në shkallën e parë. Avokati i të pandehurës Golemi thotë se një masë më e lehtë do të kërkohet në Gjykatën e Apelit, duke përdorur si fakt, se klientja e tij është një person publik dhe pa rrezikshmëri shoqërore dhe duhet të hetohet në gjendje të lirë.
“Për gjykimet në mungesë ka kushte të përcaktuara proceduriale se kur bëhen, kur personi nuk dihet, deklarohet mungesa, etj. Kështu neve na heqin mundësinë për t’u mbrojtur në një shkallë të gjykimit. Po, sepse që në shkallë të parë personi duhet të mbrohet, t’u sigurohet mbrojtja. Do ta ankimojmë vendimin në Apel, sepse shkalla e parë u ezaurua. Të hënën do të jetë vetëm verifikimi i masës së sigurimit dhe kushteve të sigurimit. Hetime do të ketë, sigurisht, ne s’mund t’i pengojmë, por të japin një masë që t’i përshtatet personit, veprës etj. Cila është rrezikshmëria që e mban me arrest me burg, vajzë 37 vjeçe, nëpunëse, intelektuale. Por, mund të ndiqet në gjendje të lirë, kjo është idea”, Fatos Shanaj, avokat i të pandehurës Elivar Golemi.
Në Shqipëri nuk njihet ndonjë precedent i ndryshimit të masës së sigurisë gjatë seancës së njohjes së saj, vetëm në rastet kur vetë Prokuroria tërhiqet. Ndaj, mbrojtja e të pandehurve është duke bërë kërkesën për ndryshim mase sigurie në Apel.
Të dy të pandehurit janë vizituar gjatë së shtunës nga avokatët, ndërsa familjarët e tyre kanë sjellë ushqime dhe sende personale, që u nevojiten në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Guvernatori Fullani dhe inspektorja e Përgjithshme, Elivar Golemi, u arrestuan pasditen e së premtes me urdhër të Gjykatës së Tiranës. Pamjet, që u transmetuan ekskluzivisht nga Top Channel, treguan shoqërimin e guvernatorit drejt ambienteve të policisë së kryeqytetit.
Pak orë më vonë arrestimit të tij, Prokuroria bëri publike të gjitha akuzat ndaj dy funksionarëve më të lartë të Bankës së Shtetit shqiptar.
“Rezulton se shtetasi Ardian Fullani, me cilësinë e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili është edhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës dhe drejtor ekzekutiv i saj, ka shkelur ligjet si më poshtë: Së pari, nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës zv/guvernatorin e dytë të BSH, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtpërdrejt administrimin, mbikëqyrjen dhe administrimin e akteve proceduriale për përdorimin e mjeteve financiare. Së dyti, në cilësinë e kryetarit të KM, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike për funksionimin e BSH, si detyrim që buron nga vendimi i KM numër 13, datë 22.02.2006. Pra, me nisjen e Departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, KM duhet të propozonte dhe miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cënimin e parave. Së treti, në cilësinë e drejtorit të përgjitshëm ekzekutiv të BSH, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të KM, ndër to mund të përmendim zbatimin e politikave të miratuara nga KM për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme, për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së BSH.
Elivar Golemi, me funksionin e inspektorit të përgjithshëm të BSH, ka shkelur ligjin si më poshtë: Së pari, nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për BSH dhe rregullores së departamentit të kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtpërdrejt e inspektorit të përgjithshëm të BSH” tha Fiorida Ballauri, shefe e kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme.
Me dy arrestimet e fundit e çojnë në 19 numrin e personave të shoqëruar në polici, me kërkesë të Prokurorisë për hetimet e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Bankës së Shqipërisë.
Top Channel