Ardian Fullani është një nga zyrtarët e lartë me karrierën më të gjatë në poste të rëndësishme publike në Shqipëri.

I diplomuar në Fakultetin Ekonomik dhe atë të Drejtësisë, karriera e tij në sistemin bankar do të niste në vitin 1985 kur emërohet zëvendësdrejtor i departamentit të jashtëm në Bankën e Shtetit shqiptar.

Më vonë përgjatë periudhës 1990-1992 të njëjtin post zoti Fullani e ka mbajtur në Bankën Tregtare shqiptare. Në vitin 1992, pas riorganizimit të sistemit bankar, Ardian Fullani, qëndron sërish në postet të rëndësishme në sistemin financiar duke u emëruar për një vit zëvendësguvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe më pas Drejtor i Departamentit të Jashtëm të saj.

Këtë detyrë ai e mbajti për 3 vjet për të kaluar më pas në sektorin privat, përkatësisht bankën italo shqiptare. Fillimisht si zëvendësdrejtor e më vonë si drejtor i përgjithshëm i saj, post të cilin e mbajti deri në 2004. Pikërisht në atë vit, karriera e Fullanit do të arrinte majat, kur Parlamenti, në atë kohë me maxhorancë socialiste e emëroi si Guvernator të Bankës së Shqipërisë. Një mandat që Fullani e kreu të plotë për 7 vjet.

E madje në vitin 2011, do të rizgjidhej edhe për një tjetër mandat 7 vjeçar në krye të bankës, këtë herë nga maxhoranca e djathtë duke u bërë kështu zyrtari i vetëm në nivele kaq të larta që i mbijetoi rrotacionit politik. Në të gjitha institucionet e tjera të pavarura, demokratët nuk kishin rikonfirmuar asnjë nga drejtuesit e emëruar para vitit 2005 nga ish maxhoranca socialiste.

Në atë kohë rizgjedhja e Fullanit nga maxhoranca PD, LSI u përfol si pazar  politik dhe shkëmbim favoresh. Por ndryshe nga mandati i parë, këtë herë gjërat për guvernatorin kanë rezultuar më të vështira.

Top Channel