“BSH të kthehet në normalitet”

06/09/2014 00:00

Zhvillimet e fundit në Bankën e Shqipërisë, që kulmuan me ndalimin e guvernatorit Ardian Fullani, kanë hapur mes ekspertëve debatin se si mund të administrohet kjo situatë.

“Një zgjidhje normale mendoj që do të nënkuptonte një dorëheqje të guvernatorit, sepse pavarësisht se është i arrestuar, guvernatori e gëzon ende mandatin e tij si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës dhe guvernator. Në rast të kundërt, pastaj do të ishte detyrim i Këshillit Mbikëqyrës për të bërë shkarkimin e tij”, u shpreh zoti Selami Xhepa.

Zoti Xhepa mendon se, edhe pse nuk çojnë në pamundësi qeverisjeje, rrethanat e krijuara në Bankën Qendrore kërkojnë një zgjidhje thelbësore, përmes riformatimit të plotë të strukturave drejtuese.

“Kështu që në këtë kuptim, ndoshta në një periudhë disajavore Komisioni parlamentar i Ekonomisë duhet të punojë më ngushtësisht me anëtarët ekzistues të Këshillit Mbikëqyrës, për t’iu dhënë mundësi edhe atyre të marrin vendimet e tyre personale dhe për të bërë ndoshta një freskim më të plotë të të gjithë strukturës së lartë drejtuese”, shtoi më tej zoti Xhepa.

Sipas tij, në këtë situatë është Komisioni parlamentar i Ekonomisë, ai që duhet të marrë rolin kryesor për të rikthyer bankën në normalitet, jo vetëm me riformatimin e strukturave drejtuese, por edhe përmes një rishikimi të plotë të ligjit.

“Për të ndarë në mënyrë më të saktë dhe më precize përgjegjësitë midis menaxhimit dhe politikbërjes, midis detyrave dhe funksionit të Këshillit Mbikëqyrës, por edhe të administratorit të bankës, që janë guvernatori dhe zv/guvernatori. Për të parë marrëdhëniet e Parlamentit me Bankën e Shqipërisë, dhe në veçanti në këtë rast rolin e kryeinspektorit, por edhe proceset e auditimit, të cilat për hir të së vërtetës nuk është një çështje e re, por një e tillë që është neglizhuar, sepse në mënyrë të përsëritur të gjitha institucionet e pavarura e kanë pasur këtë problem prej kohësh, të mënyrës së raportimit dhe kontrollit parlamentar”, deklaroi Xhepa.

Një nga njohësit më të mirë të sistemit financiar, zoti Xhepa thotë se përtej debatit, se si mund të administrohen ngjarjet e fundit në Bankën e Shqipërisë, përçojnë edhe një mesazh të fortë në publik.

“Mendoj se kjo situatë, pavarësisht se është fatkeqe në disa kuptime, në kuptimin e imazhit të bankës, por në kuptimin e shoqërisë është shumë pozitiv, sepse përcjell disa mesazhe shumë të rëndësishme për integritetin e shtetit dhe jep shumë besim për integritetin e institucioneve në të ardhmen, dhe në luftën ndaj korrupsionet besoj se është një nga leksionet më të rëndësishme të përcjella publikut”, përfundon intervistën zoti Selami Xhepa.

Top Channel