Andrea Stefani – Damian Gjiknuri, ministri i Energjetikës, në një deklarim për mediat, ka befasuar duke thuajse pohuar edhe mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë.
Themi befasuar, sepse kjo ishte një nga gjërat që mund të pritej më pak prej qeverisë së shumicës së sotme që sa kohë qe në opozitë, nuk reshti së kritikuari, dhe me të drejtë, qeverinë “Berisha” për paaftësinë, korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë që e sollën sektorin energjetik pranë kolapsit. Por a është gjendja kritike e trashëguar një arsye që barra e rimëkëmbjes së sektorit energjetik t’i hidhet mbi shpinë konsumatorëve? Mendojmë se, sikundër dhe është provuar në dy dekada, kjo do të ishte formula më e keqe qeverisëse për energjetikën jo vetëm në rrafshin financiar, por edhe atë politik e social.
***
U bënë dekada që sektori energjetik vuan pa shërim nga ajo që quhet “humbje joteknike”, por që e thënë më shqeto, është vjedhje e energjisë nga një numër i madh konsumatorësh familjarë, por edhe biznese. Shkurt, hajdutëria ka mbi dy dekada që po ia thith sektorit energjetik gjakun si shushunja. Themi sektorit energjetik, por në të vërtetë, është gjaku i atyre familjeve të ndershme shqiptare që refuzojnë të vjedhin, duke paguar rregullisht energjinë. Por ç’ndodh në vazhdimësi? Qeveritë kanë manifestuar një tolerancë skandaloze ndaj një pjese të popullsisë që refuzon të paguajë energjinë. Shkurt, qeveritë janë sjellë deri më sot si një shitës që edhe pse “blerësit” ia marrin mallin në dyqan, duke refuzuar të paguajnë ai vetë, shitësi, nuk bën as përpjekjen më të vogël që t’i vërë këta hajdutë përpara ligjit. Kaq e vështirë qenka që të detyrohen sipas ligjit të shtetit dhe ligjit të tregut të gjithë shtetasit të paguajnë për mallin me emrin energji elektrike? Toleranca është kaq absurde, kaq antishtet, kaq antitreg sa jo pa të drejtë, në opinionin publik ka dyshime se kjo vjedhje tolerohet herë për shkaqe elektorale (familjet që vjedhin dhe nuk ndëshkohen e japin votën për qeverinë e radhës se ia njohin për favor tolerimin e vjedhjes) dhe në raste të tjera, edhe për shkaqe korruptive. Që do të thotë se një rrjet të korruptuarish, i integruar në sistemin e vjeljes së tarifave të energjisë, pasurohet me ryshfetet që i vijnë nga tolerimi i mospagimit të energjisë nga familje dhe biznese të tëra. Shkurt kemi të bëjmë me një orgji të tërë korruptive që nuk mund të jetë gjë tjetër, veçse një nga aspektet më domethënëse të kalbjes së shtetit shqiptar.
***
E dimë që rivendosja e rendit në sektorin energjetik (dhe kemi plotësisht të drejtë të formulojmë një aspiratë të tillë) është një sfidë shumë e vështirë. Por më e rëndësishme se vështirësia e një problemi është mënyra se si e përball atë. Edhe lufta kundër mbjelljes së kanabisit apo ndërtimet pa leje janë sfera anarkie dhe kaosi që kanë dëshmuar për mungesën e shtetit. Shumë të vështira, në mos më të vështira, por që janë përballuar me më shumë sukses nga qeveria. Pak vetë mund të imagjinonin operacionin kundër drogës në Lazarat apo edhe në Veri të vendit. Por u kurorëzuan me sukses, sepse u tentua me guxim rivendosja e ligjit, rivendosja e shtetit. Edhe sektori energjetik nuk do të dalë kurrë nga kolapsi ku është futur, nëse nuk bëhet një përpjekje e menjëhershme dhe energjike për rivendosjen e ligjit, për ringjalljen e shtetit edhe në atë sektor.
***
Një informacion i Bankës Botërore na bën të qartë se për shkak të humbjeve të energjisë, taksapaguesit shqiptarë duhet të shpenzojnë çdo vit 150-200 milionë euro për ta kompensuar me importe këtë energji më së shumti të vjedhur. Në të njëjtin dokument thuhet se është rënë dakord që humbjet në shpërndarjen e energjisë (dhe këtu përfshihen edhe ato që vijnë nga vjedhjet) të reduktohen nga 42 për qind që janë sot në 20 për qind në vitin 2018. Kjo do të thotë që për vite të tjera, edhe përtej 2018, shteti shqiptar, një pjesë e qytetarëve të tij duhet të bashkëjetojnë me vjedhjen e energjisë që pakësohet, por nuk shteron kurrë. Do të thotë që një pjesë e familjeve të ndershme të ndëshkohen duke paguar edhe për ato familje apo biznese që nuk paguajnë! Ngado që ta kapësh, kjo është një padrejtësi që jo vetëm nuk mund të justifikohet por edhe nuk mund të durohet dot. Jo thjesht nga konsumatorët që vuajnë pasojat, por nga vetë fryma e shtetit. Sepse do të thotë që shteti të legalizojë vjedhjen, të bashkëjetojë me të. Do të thotë që shteti pranon se ka disa shtetas, disa familje që kanë të drejtë të vjedhin. Një absurditet i tillë nuk ka ndodhur askund. Bashkëjetesa e shtetit me vjedhjen është si bashkëjetesa e qelizës kanceroze me organizmin. Organizmi ose do të fitojë mbi kancerin ose do të vdesë prej tij. Shteti shqiptar është i dobët dhe i varfër sepse prej vitesh bashkëjeton me qeliza të tilla kanceroze që e gërryejnë organizmin e tij sikundër është dhe vjedhja e energjisë elektrike.
***
T’i japësh fund vjedhjes së energjisë elektrike do të thotë të ringjallësh jo thjesht sektorin e energjisë, por shtetin. Prandaj synimi nuk duhet të jetë rritja e çmimit të energjisë, duke shkarkuar barrën e vjedhjeve te pjesa e ndershme e popullatës. Edhe tek ato familje që nuk janë në nevojë. Sepse, kështu qeveria bëhet bashkëpunëtore në vjedhje, si të gjithë qeveritë e derisotme, gjë që nuk është fare misioni i saj publik. Në pikëpamje sociale, kjo është një padrejtësi. Në këndvështrim politik është gabim. Sepse vetëm një vit pasi është larguar nga pushteti, qeveria i jep mundësi ish-kryeministrit Berisha që të nxisë pakënaqësi në elektorat duke vjelë fryte politike nga një situatë katastrofike në sektorin e energjisë për të cilën është përgjegjëse keqqeverisja e tij e korruptuar 8-vjeçare. Rruga më e vështirë, por më e drejtë dhe në favor të rilindjes së shtetit, është ajo e shtrëngimit të gjithkujt që nuk paguan “dritat” që të paguajë. Zgjerimi sa më i shpejtë i rrethit të atyre që paguajnë, zvogëlimi deri në eliminim po aq të shpejtë i rrethit të atyre që nuk paguajnë, është mënyra më e mirë për ta shpëtuar sektorin energjetik nga kanceri i vjedhjes që po e torturon prej më se dy dekadash. Formulat e tjera, ti vjedh, unë paguaj, vetëm nxisin vjedhjen dhe… antishtetin.
Top Channel