Rama, qëndrim për Kosovën dhe ISIS

05/09/2014 00:00

Në përfundim të samitit dyditor të NATO-s në Uells, kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp përpara gazetarëve shqiptarë, ka bërë një përmbledhje të takimeve dhe bisedimeve të zhvilluara me homologët e tij, duke veçuar takimin me presidentin amerikan Barack Obama.

“Sigurisht që nuk e kam harruar se në këto raste parardhësi im bënte një paradë të takimeve që kishte bërë nëpër korridore. Unë nuk do ta bëj këtë paradë, por do veçoj bisedën kokë më kokë me presidentin Obama dhe pastaj takimin e strukturuar për të njëjtat çështje me sekretarin e Shtetit, John Kerry”, deklaroi Rama.

Më tej, kryeministri Rama është ndalur dhe tek fjala që ka mbajtur në Samit, ku ai ka mbajtur një qëndrim të fortë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“I kam bërë apel, në praninë e të gjithëve, atyre vendeve që ende nuk e njohin Kosovën si shtet më vete, që ta bëjnë këtë sepse nuk është tanimë thjesht një çështje siç ishte deri dje, por është një çështje me rëndësi strategjike dhe peshë të madhe gjeo-politike për Europën që të përfundojë odiseja e njohjeve brenda për brenda vendeve të BE-së. Nga ana tjetër kemi mbështetur fuqishëm Malin e Zi, duke u bashkuar me ata që mendojnë se ky vend duhet ta marrë ftesën e anëtarësimit dhe që të gjithë bashkë të punojmë me më shumë këmbëngulje që të anëtarësojmë Maqedoninë, por duke kërkuar prej saj përfundimin e kontestit të emrit me Greqinë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Çka sapo thash theksohet në konkluzionet e samitit. Kam theksuar gjithashtu që të mbështetemi si Shqipëri dhe rajon në kapacitetet teknike të inteligjencës, në një betejë me forcat barbare e vrastare, siç është ISIS apo kalifati”, tha Rama.

Rama: Ndarja, çështje e brendshme
Nga reforma territoriale përfitojnë edhe minoritetet

I pyetur nga Top Channel lidhur me takimin e tij me kryeministrin grek Samaras, nëse ndarja e re administrative është një çështje më shumë mes dy shteteve, Rama është shprehur se kjo është një çështje e brendshme e Shqipërisë.

“Ndarja territoriale është atribut i organeve vendimmarrëse të Shqipërisë. Qeveria e pastaj Kuvendi kanë marrë një vendim në frymën e interesit kombëtar dhe të mbrojtjes pa asnjë ngurrim të minoriteteve dhe lirive e të drejtave të tyre”, theksoi Rama.

Duke u ndaluar tek takimi me homologun Samras, kryeministri ka cekur dhe marrëveshjen detare, e cila sipas tij nuk mund të kthehet më pas dhe duhet dialog dhe barazi. Po ashtu, Rama ka theksuar se ka kërkuar edhe njëherë heqjen e ligjit të luftës mes dy vendeve.

“Ne kemi një pozicion shumë të qartë për këtë: dialog, barazi dhe vullnet për të gjetur zgjidhjen një orë e më parë të një çështjeje që nuk mund ta kthejmë pas, por do shkojmë përpara. Kjo do të thotë se na duhet një zgjidhje e qëndrueshme dhe e pranueshme për të dyja palët dhe heqjen e ligjit absurd të luftës mes dy vendeve”, shtoi Rama.

Top Channel