Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin se po i shmanget ballafaqimit që ai kërkoi një ditë më parë duke e ftuar atë në debat ballë për ballë për projektet e parealziuara të Bashkisë që sipas Bashës i bllokon Rama, ndonëse ky i fundit ndodhet në samitin 2-ditor të Uellsit.

“Kryeministri Rama po mundohet t’i ikë ballafaqimit për të vërtetën e bllokimit politik të Tiranës, por Edi Rama nuk mund t’i ikë kurrë përgjegjësisë para qytetarëve të Tiranës për këtë akt të pashoq në historinë e Shqipërisë pluraliste, për këtë akt armiqësor ndaj qytetarëve dhe interesave të tyre”, tha kryebashkiaku.

Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka bllokuar hapjen e mijëra vendeve të punës në Tiranë duke bllokuar projektet e Bashkisë: “Punësimi është një plagë e madhe e qytetit dhe prioritet i Bashkisë, e cila ndonëse nuk është përgjegjëse kryesore për gjendjen ekonomike, ka marrë përgjegjësi që ditën e parë timen si kryebashkiak. Ia kemi dalë në këto tre vite të krijojmë 25 mijë vende pune në Tiranë, por mijëra të tjera mbeten të bllokuara nga Edi Rama.”

Kryetari i Bashkisë përuroi përfundimin e punimeve për rindërtimin e kopshtit nr. 1 në Tirane, projekt i realizuar mbi sipërfaqet ekzistuese me një shtesë prej 50 metër katrorë. Investimi kap vlerën e 20 milionë lekëve.

Top Channel