“Të zbatohen vendimet e Kushtetueses”

04/09/2014 00:00

Nënkryetari i grupit parlamentar të koalicionit CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Andreas Schockenoff zhvilloi pasditen e së enjtes një takim me kryetarin e Partisë Demorkatike, Lulzim Basha, ku vlerësoi rolin e bashkëpunimit të deritanishëm mes dy partive simotra.

Schockenoff ka dhënë edhe një mesazh lidhur me pavarësinë e institucioneve dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Të gjitha institucionet e pavarura duhet të punojnë, të jenë të pavarura dhe gjithashtu të respektohen nga të tjerët. Sigurisht që Kushtetuta rregullon të gjitha veprimet, bashkëpunimin se si duhet të punohet dhe me këtë e kam fjalën që kur Gjykata Kushtetuese merr vendime nuk ka më vend për debat dhe për diskutime politike, ato duhen respektuar dhe duhen zbatuar. Sigurisht që në debatin parlamentar ekzistojnë rregulla që të gjithë të respektohen, liritë e të shprehurit e të mendimit, të gjithë duhet të punojnë bashkë dhe jo disa të pengohen me dhunë për të shprehur mendimin e tyre. Kjo duhet të reflektohet edhe më tej”, deklaroi Schockenoff.

Nga ana e tij, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se pjesë e diskutimit ishte dhe roli që opozita ka në mbrojtjen e vlerave të demokracisë në vend.

“E njoha zyrtarin gjerman me platformën tonë për Shqipërinë evropiane dhe me përgatitjet e Partisë Demokratike për detyrat e ardhshme politike. Theksova se opozita ka një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shtetit ligjor”, tha Basha nga ana e tij.

Më tej nënkryetar i grupit parlamentar CDU-CSU bëri publike dhe ftesën drejtuar kreut të PD-së Basha, për të qenë i pranishëm në kongresin e kësaj force poltike, që do të mbahet në muajin dhjetor në Këln të Gjermanisë. Zoti Schockenoff është pritur pasdite në Presidencë edhe nga presidenti Bujar Nishani.

Konferenca për marrëdhëniet shqiptaro-gjermane

Pas takimit kokë më kokë, Basha dhe Schockenoff kanë marrë pjesë në konferencën kushtuar marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, të cilat sipas kryetarit të opozitës kanë një rëndësi të veçantë.

Në fjalën e tij në këtë eveniment, zoti Basha prezantoi vizionin e Partisë Demokratike për Shqipërinë evropiane.

“Ne jemi të përkushtuar për të forcuar demokracinë në Shqipëri dhe aktualisht po hartojmë një platformë sipas modelit gjerman”, tha Basha, i cili kritikoi mazhorancën për shkeljen e parimeve kushtetuese.

“E majta nuk i pranoi dot parimet kushtetuese. Krimi ka hyrë në Kuvend dhe në administratë janë punësuar militantë me preçedentë penalë”, theksoi Basha.

Më tej kreu i opozitës u shprehu mirënjohjen e tij miqve gjermanë për ndihmën dhe kontributin e rëndësishëm që kanë dhënë për demokracinë në Shqipëri.

Top Channel