Gjatë samitit dyditor të NATO-s, i cili po mbahet në Uells, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, është takuar me homologun e tij grek, Antonis Samaras, dhe me ministrin e Jashtëm Evangelos Venizelos.

Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, mësohet se në takim u ndanë pikëpamjet respektive për çështje që lidhen me marrëdhëniet mes dy vendeve, duke nënvizuar gatishmërinë për t’i zhvilluar ato më tej.

“Kryeministri Rama theksoi vullnetin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë një dinamikë të re bashkëpunimit dypalësh në frymën e partneritetit e të fqinjësisë së mirë, si dhe në kuadër të bashkëpunimeve dhe nismave rajonale, në përputhje me realitetin e ri të rajonit. Me interes të veçantë u fol për projektet me rëndësi rajonale, në fushën e infrastrukturës dhe të energjisë, të diskutuara në kuadër të platformës së Samitit të Berlinit”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave.

Ndërkaq, Agjencia shtetërore greke e lajmeve “AMNA” raporton se midis çështjeve më kryesore, që janë trajtuar në bisedimet midis dy udhëheqësve, ka qenë ajo e disa problemeve që kanë rezultuar në Himare pas ligjit të ri të reformës Administrativo-Territoriale.

Samaras, thuhet se i ka kërkuar homologut shqiptar ndërhyrjen e tij personale, për përballimin e këtyre problemeve dhe të “trumbetave nacionaliste të çamëve”, siç është thënë shprehimisht në njoftim.

Kryeministri grek ka theksuar se respektimi i të drejtave të njeriut është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE. Një problem tjetër i trajtuar në takim, siç raporton agjencia AMNA, ka qenë edhe marrëveshja e kufirit detar, e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, për të cilin kreu i qeverisë greke ka ritheksuar se pozicionimi i palës greke është që kjo çështje të zgjidhet mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare.

Nga ana e tij, kryeministri shqiptar Edi Rama, pasi ka falënderuar homologun grek për mbështetjen, që i ka dhënë Greqia Shqipërisë në çështjen e anëtarësimit, ka deklaruar se është në dijeni të ndjeshmërisë së kryeministrit Samaras për minoritetin grek në Shqipëri dhe e ka garantuar personalisht se, jo vetëm që nuk ka ekzistuar asnjë qëllim për të dëmtuar këtë pakicë kombëtare, por edhe se do të respektohen gjithnjë të drejtat e saj.

AMNA raporton gjithashtu se, midis të tjerash, në takim është folur edhe për rrezikun nga fenomeni i fundamentalizmit fetar, që ka shpërthyer në rajon, si dhe për bashkëpunimin e forcave të Rendit të të dy shteteve.

Gjithashtu, shefi i qeverisë shqiptare ka patur një takim të ngrohtë edhe me presidentin e ri të Turqisë, ish-kryeministrin e këtij vendi, Recep Tayip Erdogan.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel