Florian Kali nga drejtoria e NATO-s dhe BE-s në Ministrinë e Mbrojtjes ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për të folur mbi samitin e NATO-s, i cili do të mbahet gjatë ditës së sotme në Uells.
Florian Kali u shpreh se të gjitha vendet aleate do të jenë të bashkuara për t’u përgjigjur të gjitha këtyre sfidave, të cilat kanë ndryshuar situatën e sigurisë në rajonin euroatlantik.
Pandi Gjata: Një samit i NATO-s i ndryshëm nga ato të mëparshmit, nisur edhe nga gjeopolitika dhe zhvillimet në mënyrë të veçantë në Ukrainë dhe Irak dhe që vjen me një slogan, “t’u tregojmë kundërshtarëve se jemi gati dhe të fortë”. Cilat janë mesazhet ku do të fokusohen liderët botërorë pas pak orësh?
Florian Kali: Slogani do të jetë i qartë që të gjitha vendet aleate do të jenë të bashkuara për t’u përgjigjur të gjitha këtyre sfidave, të cilat kanë ndryshuar situatën e sigurisë në rajonin euroatlantik. Të gjithë vendet së bashku do t’i përgjigjen këtyre sfidave me mjetet dhe kapacitetet dhe me vullnetin politik.
Pandi Gjata: I cili fokusohet në disa ngjarje. Kemi një përfundim të misionit në Afganistan.
Florian Kali: Një ndër pikat kryesore të këtij samiti është përfundimi i misionit të ISAF-it, i cili është edhe misioni më i gjatë ku Aleanca ka marr pjesë. Trupat do të reduktohen dhe nga një forcë e dislokuar, aleanca do të ketë një forma për t’u përgatitur për t;u dislokuar. Mesazhi tjetër do të jetë ndaj krizës aktuale në Ukrainë. Të gjithë vendet së bashku do të tregojnë qartazi që aleatët qëndrojnë të gjithë së bashku për të përballuar sfidat dhe kërcënimeve të territorit dhe popullsisë së tyre.
Pandi Gjata: Presidenti Barack Obama, i cili para se të mbërrinte në Uells qëndroi në Estoni dhe dha një mesazh të fortë për vendet baltike. Do të ketë një propozim për të rritur kontributin e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s me më shumë se 2% të prodhimit të brendshëm bruto, apo jo?
Florian Kali: Ky është një ndër udhëzuesit e NATO-s që të gjithë vendet anëtare duhet të kenë një buxhet të mbrojtjes që përkon me 2% të buxhetit të brendshëm bruto. Aktualisht vetëm 4 vende e plotësojnë këtë dhe kërkesat janë që të plotësohet nga të gjitha vendet.
Pandi Gjata: Jemi në një gjendje lufte mes Rusisë dhe Ukrainës dhe mesazhi do të jetë i fortë kryesisht për këtë vend që rrezikon të copëtohet sërish, apo jo?
Florian Kali: Kryetarët e shteteve do të japin një mesazh të përbashkët duke mbështetur Ukrainën. Do të jepet një mbështetje në sektorin e mbrojtjes për të rritur kapacitet e saj ushtarake. Gjithashtu do të ketë edhe kontribute monetare për të suportuar këto reforma në sektorin e mbrojtjes.
Pandi Gjata: Sa herë ka pasur samite të NATO-s jemi referuar te zgjerimi, ky samit për shkak të zhvillimeve gjeopolitike nuk ka prioritare dhe nuk e ka në axhendë zgjerimin, por dyert e NATO-s do të jenë të hapura për vendet e tjera. Cilat mund të jenë ato vende që mund të bëhen anëtare, ndoshta gjatë samitit të NATO-s?
Florian Kali: Ky nuk është samit zgjerimi dhe nuk ka pritshmëri, por edhe në deklaratat që do të bëjnë kryetarët e shteteve dyert do të jenë të hapura për të gjitha vendet që ndajnë principet demokratike me vendet anëtare. Do të ketë disa nisma, si për shembull për Malin e Zi, do të ketë edhe një paketë specifike edhe për Gjeorgjinë. Ndërsa për Maqedoninë vazhdon të ngelet problemi i emrit.
Pandi Gjata: Në këtë samit fokusi do të jetë edhe te lufta ndaj terrorizmit ndaj forcave të ISIS. Ku është kontributi i Shqipërisë në këtë drejtim?
Florian Kali: Ashtu siç është edhe slogani i NATO-s që të gjitha vendet duhet të kontribuojnë 28 për 28 edhe vendi unë është rreshtuar për ndryshimin e kësaj situate. Tashmë është vendosur që vendi jonë do të dërgojë dy oficerë në komandën e Napolit në kuadër të masave për situatën në Ukrainë. Gjithashtu vendi ynë ka përkrahur me armatime qeverinë e Irakut.
Top Channel