Përmes një votimi deputetët e maxhorancës në Komisionin e Ekonomisë mandatuan kryetarin Erjon Braçe t’i kërkojë Konferencës së Kryetarëve nisjen e procedurave për shkarkimin e inspektores së përgjithshme të Bankës së Shqipërisë.

Vendimi erdhi pasi Elivar Golemi refuzoi për të dytën herë të paraqitej për të dhënë shpjegime para Komisionit duke e motivuar atë me të njëtat argumenta të një dite më parë.

“Ky është absurdi. Nga njëra anë thotë nuk vij në Kuvend se nuk jam unë që përfaqësoj Bankën, nga ana tjetër thotë jam e gatshme t’u përgjigjem me shkrim në një kohë sa më të shkurtër”, tha zoti Braçe.

Përballë argumentave të inspektores Golemi se nuk mund të dëshmojë në Komision pasi e ndalon ligji, zoti Braçe ka dashur të bëjë edhe një sqarim publik: “Në asnjë rast nuk kemi kërkuar dëshmi as të inspektores së përgjithshme, as të antarëve të Këshillit Mbikqyrës, as edhe të Guvernatorit. Kemi kërkuar shpjegim.”

Dhe e drejta për të thirrur dhe kërkuar shpjegime nga zyrtarët publikë, sipas Braçes, Kuvendit i buron nga Kushtetuta, përkatësisht neni 83 i saj.

Mosparaqitja e inspektores për të dytën herë me radhë është konsideruar nga Komisioni i Ekonomisë jo vetëm si shkelje e Kushtetutës, por edhe etikës dhe cënim i interesave të Bankës.

Dy shkaqe që sipas deputetëve në referencë të nenit 54 dhe 47 të ligjit për Bankën e Shqipërisë, i japin Kuvendit të drejtën dhe hapësirat ligjore të nisë procedurat për shkarkimin e zonjës Golemi, prej disa vitesh në krye të departamentit të kontrollit në Bankën e Shqipërisë.

Golemi: Ligji nuk parashikon dëshminë time

Ndërkohë, inspektorja e përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi ka reaguar pas vendosjes së limitit kohor për nisjen e proçedurave të shkarkimit të saj nga Kuvendi.

Sikurse një ditë më parë, Golemi, duke iu referuar ligjit për Bankën e Shqipërisë, ka përjashtuar mundësinë e paraqitjes në Komisionin parlamentar të Ekonomisë.

“Nuk mund të dëshmoj para komisionit për aq kohë sa ligji nuk e parashikon këtë gjë. Ligji për Bankën e Shqipërisë e përcakton qartë se raportoj vetëm para Këshillit Mbikëqyrës të këtij institucioni”, ka thënë Golemi.

Përmes një komunikate për shtyp, zyrtarja ka theksuar se nuk ka ndërmend “të shkelë Kushtetutën” dhe shton se argumentet e saj drejtuar komisionit janë paraqitur përmes korrespondencës.

Top Channel