Gjatë pasdites mbërriti në Uells edhe delegacioni i Shqipërisë i kryesuar nga Kryeministri Rama, në përbërje të tij edhe dy ministrat Kodheli dhe Bushati.

Në një lidhje telefonike në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” e dërguara e Top Channel në Uells, Rovena Moçka raporton se tashmë kanë mbërritur delegacionet nga 28 vendet anëtare të NATO-s, por edhe nga vendet që konsiderohen partnere të Aleancës.

Samiti do të nisë punimet në mesditën e sotme në orën 12:00. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry do të jetë ai që do të çel punimet e samitit. Në pikën e parë do të diskutohet Afganistani, ku Shqipëria së bashku me SHBA-në janë aktualisht prezent në këtë vend me forca ushtarake.

Ajo që mbetet sfida më e madhe e këtij samiti është përgjigja e Aleancës ndaj Rusisë.

Mësohet se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të ketë 9 takime bilaterale, ku ndër to veçohet ai me Sekretari amerikan, John Kerry. Gjithashtu një tjetër takim i Kryeministrit Rama do të jetë edhe ai me homologun e tij italian, por interesant është takimi me homologun grek Samaras. Ky është një takim i kërkuar nga ky i fundit dhe është i pari që bëhet mes dy kryeministrave menjëherë pas miratimit të reformës territoriale, ku ashtu siç dihet Greqia pati pretendime lidhur me trajtimin e minoriteteve. Ky është edhe takimi më i rëndësishëm që do të ketë Kryeministri nisur edhe nga ky fakt.

Top Channel