Basha sfidon Ramën: Eja në debat

04/09/2014 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka ftuar në debat kreun e qeverisë Edi Rama duke e akuzuar për bllokimin, që sipas tij, kryeministri i ka bërë projekteve dhe punës së bashkisë në këtë vit të qeverisjes së majtë.

“Edi Rama thotë ‘nuk i bllokoj unë’. Unë e sfidoj të dalë përballë qytetarëve, të flasë me fakte dhe dokumenta, të cilat provojnë pa asnjë dyshim se Rama është arkitekt i bllokimit të këtyre veprave dhe të tjerave. Këto vepra nuk i kushtojnë asnjë kacidhe qeverisë, por bllokohen për shkak të verbërisë politike. Nëse është burrë, të mos hedhë gurin e të fshehë dorën, por t’i përgjigjet sfidës”, deklaroi Basha.

Prej tre ditësh kryebashkiaku i kryeqytetit dhe lideri i opozitës ka sulmuar për këtë bllokim Ramën, por ka gjetur vetëm një përgjigje në rrjetet sociale nga kryeministri, që aktualisht ndodhet në samitin e NATO-s në Uells.

Sikurse një ditë më parë, akuzat dhe këtë radhë sfidën për debat Basha e bëri pas inaugurimit të rindërtimit të një tjetër kopshti, atij numër 14 në zonën e Laprakës.

E ndërsa ka vlerësuar këtë investim për komunitetin, Basha fajësoi qeverinë dhe kryeministrin për projekte të tjera të parealizuara nga bashkia, për shkak të urdhërave politikë që kanë penguar investimet.

PS: Basha të largohet nga bashkia

Partia Socialiste ka reaguar sërish pasditen e së enjtes ndaj akuzave të kryebashkiakut Basha në drejtim të kryeministrit Rama, duke i kujtuar atij se nuk ka mbajtur asnjë premtim.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Ervin Bushati ka akuzuar Bashën se ka lënë në harresë Tiranën dhe qytetarët e saj për t’u marrë me çështjet politike të tij.

“Luli deklaroi se Tiranës i duhej një kryebashkiak në krye të punëve dhe jo politikës. Sot ai po bën të kundërtën, duke bërë politikë në shkolla e kopshte dhe po flet sikur është i bllokuar. Ndërkohë që është i vetmi kryetar që ka marrë votat e Këshillit Bashkiak, edhe pse vetë është në minorancë”, ka deklaruar Bushati.

Duke i kujtuar kryetarit të PD “premtimet e pambajtura” për vendet e reja të punës dhe për uljen e taksave, deputeti socialist ka shtuar: “Prandaj për këtë është mirë që ai të largohet nga Bashkia e Tiranës”. 

Top Channel