Telashe për Bankën e Shqipërisë

03/09/2014 00:00

Ardian Fullani, guvernator i Bankës së Shqipërisë mesditën e të mërkurës ka ngjitur shkallët e Kontrollit të Lartë të Shtetit për të zhvilluar një takim kokë me kokë me kreun e këtij institucioni, Bujar Leskaj.

Një burim zyrtar nga KLSH, i pyetur nga Top-Channel deklaroi se takimi ishte krejt rutinë. Por zhvillimet e ditëve të fundit me protagonist Bankën e Shqipërisë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe KLSH-në nuk e bëjnë edhe kaq rutinë takimin Fullani-Leskaj.

Ky takim me shumë mundësi vjen pas një kërkese të organit të akuzës që i drejtohet Bankës së Shqipërisë për llogari të një hetimi tjetër të çelur që ka në qendër të saj pikërisht BSH-në.

Bëhet fjalë për një raport të KLSH-së ku janë konstatuar shkelje në disa nga operacionet financiare të bankës përgjatë viteve të fundit, të dhëna të cilave u referohej pak kohë më parë gazeta “Shqip”.

Në artikullin që i referohej raportit të KLSH-së përmendësh si e diskutueshme mënyra se si u shit hotel “Dajti”, por edhe dyshimet për afera në procesin e dhënies me qera të disa ambjenteve.

Në këto kushte, prokuroria thotë se ka çelur hetimet kryesisht sapo ka evidentuar shkrimin në fjalë, por ndërsa i ka kërkuar policisë që të disponojë raportin e KLSH-së, kjo e fundit ka refuzuar ta dorëzojë atë me arsyetimin se raporti i është dërguar Bankës së Shqipërisë.

Në një situatë të tillë Prokuroria e Tiranës i është drejtuar me një shkresë tjetër bankës për raportin e KLSH, por ende nuk ka marrë një përgjigje prej saj.

Hetimet për këtë dosje drejtohen nga prokurori i njësisë task forcë të kryeqytetit Ndini Tavani, i cili po verifikon dyshimet se mund të jetë abuzuar me tenderat.

Episodi më pikant, që në fakt ka qenë mjaft i lakuar edhe nga opozita e djeshme, është fati i hotel “Dajti” që iu shit Bankës së Shqipërisë për gati 30 milionë euro e që dyshohet si një operacion që mund t’i ketë sjellë shtetit një dëm ekonomik të konsiderueshëm.

“Ne, mes veprimeve hetimore për të mbledhur prova, kemi administruar edhe materiale nga Agjencia e Prokurimeve Publike pasi ka dyshime se shitja është kryer pa tenderim”, thanë prokurorët.

Top Channel