“Shqipëria, në rrugën e drejtë të reformave”

03/09/2014 00:00

Për presidencën italiane të BE-së, Shqipëria po ecën mirë në rrugën e reformave dhe vlerësohet ngritja e kontakteve në nivel të lartë mes Tiranës dhe Beogradit, ndërsa pritet nisja e dialogut me Kosovën, mbajtja e zgjedhjeve në Bosnjë dhe zgjidhja e çështjes së emrit për Maqedoninë.

“Ne besojmë se Shqipëria është një vend që, muajt e fundit, ka kryer jashtëzakonisht mirë punën në drejtim të reformave apo të vullnetit për refoma. Dhe vendimi i Këshillit, Qershorin e kaluar, po jep ndoshta shtysën e duhur për vazhdimin drejt rrugës së reformave. Ne besojmë se vazhdimi i qëndrueshëm i procesit të zgjerimit nuk është vetëm në interes të vendeve të veçanta, që janë në proces apo dëshirojnë të jenë në këtë proces, por është në interesin tonë si europianë, si anëtarë të Bashkimit Europian, si një çështje stabiliteti, sigurie dhe e prosperitetit ekonomik. Unë mendoj se kjo është më shumë se sa në interes të BE-së, përbën edhe një përgjegjësi për BE-në”, tha Federica Mogherini, ministre e Jashtme, presidenca italiane e BE-së.

Zgjerimi mbetet një prioritet për presidencën italiane, siç shpjegoi ministrja e Jashtme Mogherini, në komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian, por unioni nevojitet të fokusohet në çështje më emergjente.

“Dje, COREPER (ku përfshihen ambasadorët e BE-së) u mblodh dhe nisi punën për zbatimin e pikës 12 të konkluzioneve të Këshillit Europian, që parashikon shtim sanksionesh në 4 sektorë; atë financiar, në përdorimin e energjisë, armëve dhe teknologjisë, si dhe për zgjerimin e listës së njerëzve dhe të institucioneve”, tha më tej ministrja italiane, njëkohësisht edhe shefja e re e Politikave të Jashtme të BE-së, Mogherini.

Në Parlament, shefja e re e diplomacisë europiane deklaroi se Rusia nuk është më një partner strategjik.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel