Zamira Cavo – Kur afro 100 vite më parë Gjergj Fishta thoshte po të njëjtën gjë, kundërshtarët e tij nuk lanë gur pa hedhur për ta denigruar. Por e vërteta duket sikur i ka qëndruar kohës.
Sot më shumë se kurrë jam e bindur që Shqipëria nuk mund të bëhet nëse ne shqiptarët nuk qytetërohemi. Me fjalë më të thjeshta; nëse ne shqiptarët nuk do kuptojmë veten tonë dhe standardet e kulturës së një bote të qytetëruar, zor se mund të kemi një Shqipëri ndryshe. Qytetërimin nuk e bën as gjuha e huaj, as ligji e as teknologjia e fundit. Qytetërimin e bën kultura e shndërruar në mënyrë jetese. Në këtë pikë, ne shqiptarët jemi akoma me vonesë historike. Pse e them këtë:
Qytetaria fillon me gjeste të thjeshta, me ato që në dukje nuk ngrenë peshë, por që mbartin në vetvete një domethënie të madhe. Provoni të ecni në këmbë rrugëve të qyteteve e të mos ndeshni në çdo dhjetë metra dikë që pështyn në rrugë, para teje, në krah apo pas teje. Dikur Zogu pati shkruar në pllakat e trotuareve të Tiranës “Mos pështyni në tokë”… Sa aktuale duket! Po se mos është vetëm kjo. Lexuesit po i le mundësinë të shtojë me dhjetëra “dukuri” shqiptare që lidhen me plehrat, me mbeturinat me urinimet vend e pa vend etj., etj.
Qytetari do të thotë një koncept i drejtë për lirinë. Qytetari e ka të qartë se liria e tij është e limituar nga liria e tjetrit. Ndaj ai di të lëvizë brenda kufijve të tij. Ndërsa ne shqiptarët e konsiderojmë veten të lirë në çdo drejtim. Të lirë të bërtasim, të lirë të vrasim, të lirë të vjedhim, të lirë të fusim hundët në punët e tjetrit… Dikush mund të thotë se për këtë fajin e ka drejtësia, ligji. Sigurisht, por edhe ata që i bëjnë apo i zbatojnë këto ligje shqiptarë janë… Mjafton të shihni zyrtarë të lartë që mbrojnë me thonj e dhëmbë “lirinë” e ndërtimeve pa leje, që mbrojnë me thonj tokat e grabitura, për të kuptuar se sa e gabuar është ndjenja e lirë dhe koncepti mbi të te ne. Kujt nuk i ka ndodhur që të qortojë dikë për shkak të zhurmës që vjen dhe të mos ketë marrë përgjigjen standarde: Jam në shtëpinë time e bëj ç’të më dojë qejfi! Dhe koncepti i gabuar mbi lirinë pa kufij nuk njeh tolerancë, por njeh nënshtrim dhe bindje ndaj të fortit. Sepse liria pa kufi të shndërron në gjendje natyrore. Ndaj shqiptari hesht kur duhet të flasë, gënjen kur duhet të ballafaqohet me të vërtetën, ka frikë nga i pushtetshmi dhe i nënshtrohet të fuqimisht.
Historikisht ky koncept i gabuar për lirinë si liri fizike na ka shtyrë të vlerësojmë forcën fizike mbi atë mendore, pasi forca fizike sillte lirinë natyrore. Ne u kemi kënduar trimave, por jo mendimtarëve tanë!
Ky koncept i gabuar mbi lirinë pa limite ka çuar historikisht në një qëndrim krejtësisht jo qytetar ndaj “publikes”. Ne akoma nuk e kemi në kulturën tonë respektin për publiken. Rendim gjithnjë pas personales. Nën këtë psikologji primitive kemi shkatërruar pyjet, kemi shkatërruar lumenjtë e liqenet, kemi shkatërruar jetën tonë dhe të brezave që vijnë. E gjitha sepse ne nuk e konceptojmë dot “publiken” si pjesën tonë. Politika në 100 vjet na e ka përforcuar edhe më shumë këtë. Edhe periudha e diktaturës, me pronën shoqërore, jo vetëm nuk e zhbëri dot këtë, por e përforcoi edhe më shumë. Ne shqiptarët nuk e kemi në kulturën tonë vullnetarizmin, madje as altruizmin. Dhe kur ndodh që e bëjmë këtë e bëjmë për “t’u dukur”, ose sepse “detyrohemi”. Ndaj politikanët tanë kanë gjetur “shesh e kanë bërë përshesh”, sepse ne të gjithë jemi rehatuar në egoizmin tonë, sepse ne kemi frikë të konfrontohemi me ta, sepse ne nuk veprojmë, por ama flasim… Në mendimin tim ne jemi populli më oral dhe më sipërfaqësor në Europë. Sapo plas një skandal në politikë, ajo pjesë qytetare e shqiptarëve rreket ta bëjë çështje publike. Solidarizimi është i jashtëzakonshëm… por me fjalë… sepse janë shumë të pakët ata që veprojnë. Pse ndodh kështu? Dhe pse më vjen shumë keq ta pranoj, por ne kemi frikë. Nuk duam të prishim qetësinë tonë, për një gjë që nuk lidhet direkt me individin, madje dhe po të lidhej direkt sikundër mund të ishte çështja e dritave apo ujit, apo parave, sërish njerëzit do mundoheshin të justifikoheshin për të mos vepruar. Ne nuk e konceptojmë me psikologjinë qytetare “publiken”, por e shohim atë si një “lopë që milet” nga çdokush që ka mundësi. Nuk ka si shpjegohet ndryshe shprehja e përhapur në administratën publike “po nuk rrodhi do pikojë”, e cila është baza e mendësisë së të rinjve për t’u punësuar në administratën publike. Unë nuk gjej dot një sektor publik ku të mos vidhet e madje ku të mos shpërdorohet me të dyja duart. Publikja për ne është “malli pa zot” dhe “çështja” që i takon kujtdo, por jo mua…
Ne shqiptarët kemi koncept të gabuar edhe për barazinë. Ne nuk e shikojmë barazinë si mundësi, apo si barazi ligjore, por si barazi natyrore. Kjo shpjegon faktin që shqiptarët “japin” mend për çdo gjë e mbi këdo. Madje japin mend për gjëra të cilat as i njohin e as u kanë interesuar kurrë. Mjafton të ndihen të “barabartë” me ata që flasin. Nëse nuk jeni dakord, lexoni komentet në rrjetet sociale, në media, në biseda tavolinash etj., etj., dhe besoj do bindeni. Barazia në konceptin shqiptar “pse çfarë ka ai.. njësoj si unë është” ose “U bo ai”… pa u thelluar aspak në thelbin e ndryshimit. Ky lloj perceptimi për barazinë, që buron nga kuptimi i gabuar mbi të, u përforcua edhe më shumë nga koha e diktaturës, kur barazia u shit edhe për liri. Por një barazi në varfëri… ama një barazi që u vinte për shtat shqiptarëve. Ky koncept ndihet shumë në administratën publike. Miku apo ryshfeti bën të mundur një vend pune dhe pse personi nuk plotëson asnjë kriter të vendosur. Përgjigjja vjen menjëherë: Pse dhe ai një nga të tjerët është!
Ne shqiptarët duhet të qytetërohemi edhe në marrëdhëniet me punën. Ne jemi dembelë dhe pavarësisht se askujt nuk i vjen mirë, ky është një tipar i yni. Ne dëshirojmë më shumë se çdo popull në Europë të fitojmë qyl. Që nga koha e sundimit osman ne jemi rrekur të fitojmë pa u lodhur, por me trimërinë dhe forcën e krahut, por jo të mendjes. Ne nuk “e lodhim mendjen”, sepse e konsiderojmë të kotë. Për shqiptarët “qyli” ka qenë një mënyrë e të jetuarit pa e vrarë mendjen. Kjo ka sjellë më tej ryshfetin, dhe kapitalizmi e mbështolli edhe më fort në atë që ne e quajmë sot “korrupsion”; pra “qyl” duke përdorur postin.
Rendja pas dukjes, pas sipërfaqes dhe aspak pas thelbit ka bërë që ne shqiptarët të shpenzojmë në mënyrë krejt banale për “të rejat e teknologjisë apo modës” pa zgjidhur më parë problemet tona jetike. Ne blejmë makinat më luksoze,(po them në rastin më të mirë blejmë) dhe mezi shtyjmë muajin me para, blejmë celularët e fundit, kur nuk kemi mundësi të kurohemi… Vini re edhe politikën. Është vetëm sipërfaqësore, vetëm dukje, ndërsa thelbi mbetet po njësoj.
Në këtë shkrim doja të prekja majën e ajsbergut të gjërave që duhet të ndryshojmë në sjelljen tonë. Nëse vazhdojmë me të njëjtën kulturë indiferente, me të njëjtën sjellje intolerante, me idenë se ai që është i pushtetshëm ka në dorë jetën dhe fatin tënd, nëse presim që vetëm duke folur do ndryshojmë vetveten, e kemi gabim. Dhe ndoshta nipërit tanë pas 50 vitesh do duhet të rikthejnë me forcë nevojën për t’i bërë shqiptarët.
Top Channel