Partia Demokratike ka vijuar edhe këtë të mërkurë me denoncimin e emërimeve të personave të inkriminuar në administratën publike.

Konkretisht, deputeti i PD Flamur Noka, ka denoncuar emërimin e një ish-vrasësi në kohën e diktaturës, si shefin e ri të Komisariatit në Malësinë e Madhe.

“Rifat Çoku është emëruar shef Komisariati në Malësinë e Madhe, ndërsa qeveria është përpjekur që këtë emërim ta kalojë në heshtje. Rifat Çoku ka shërbyer si komisar në zonën kufitare gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe, në datën 2 Tetor të vitit 1986, ai ka qënë pjesëmarrës në pushkatimin e të riut Sokol Veshti, të cilin e kishin ndaluar fillimisht në tentativën për të kaluar kufirin, e më pas e ekzekutuan barbarisht”, akuzoi ndër të tjera deputeti Noka.

Më pas, ai ka publikuar të dhëna të “dosjes penale” të personit në fjalë, duke u shprehur:

“Në vitin 1996, Rifat Çoku u dënua me burg për krimin e genocidit nga Gjykata e Shkodrës, por pas trazirave të vitit 1997 doli shpejt nga burgu. Sot, Rifat Çoku ka rilindur nga oligarkia në pushtet, e cila komisarin e terrorit dhe vrasjeve e ka emëruar shef Komisariati në Malësinë e Madhe”.

“Ky emërim tregon më së miri inkriminimin e përditshëm të policisë dhe shtetit, teksa sigurinë publike të qytetarëve të Malësisë së Madhe do e ketë në dorë një xhelat i diktaturës me bekimin e Ramës dhe Metës”, shtoi më tej ish-ministri i Brendshëm në qeverinë e PD.

Top Channel