Një kroate në vend të Sequit

03/09/2014 00:00

Bashkimi Europian ka përfunduar proçedurat për zgjedhjen e kreut të ri të delegacionit në Tiranë. Diplomatja kroate Romana Vlahutin, aktualisht këshilltare e presidentit Ivo Josipoviç, pritet të nisë punën e re më 1 tetor në Shqipëri.

Megjithëse zyra e Catherine Ashton nuk e konfirmon ende me argumentin se ‘pritet dhe pëlqimi nga vendi pritës’ përpara publikimit, burime diplomatike rrëfyen për TCH se Vlahutin është ‘e pëlqyera’ e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, ndër tre të intervistuarit e përzgjedhur me short gjatë verës.

Për këtë post pati shumë kandidatë nga 28 vendet anëtare të BE-së, mes të cilëve dhe gjermanët Bernd Borchardt, kreu aktual i misionit të BE-së në Kosovë, EULEX, si dhe ish-shefi i njësisë për Shqipërinë, Dirk Lange, aktualisht shef njësie për Malin e Zi në drejtorinë e përgjithshme të zgjerimit pranë Komisionit Europian.

Ambasadorja e re, Romana Vlahutin, ka qënë në misionin e OSBE-së në Kosovë dhe vlerësohet për njohjen e rajonit dhe përvojën në diplomaci.

Ajo pason italianin Ettore Sequi, i cili në pranverë ndërpreu mandatin e tij si ambasador i BE-së në Tiranë për t’u pozicionuar në krye të kabinetit të ministres së Jashtme, Federica Mogherini, e sapozgjedhur Përfaqësuese e Lartë e BE-së dhe njëhkohësisht zëvendëspresidente e Komisionit Europian.

Nga të njëjtat burime mësohet se pas 1 nëntorit, Sequi pritet të kalojë në kabinetin e shefes së re të diplomacisë së BE-së.

Top Channel