Inspektorja e përgjithshme e Bankës së Shqipërisë ka refuzuar të paraqitet në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, për t’u përgjigjur mbi skandalin e vjedhjes së 7.13 milionë dollarëve.

“Është një ngjarje e paprecedent, e pandodhur në 23 vite në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Dua t’iu kujtoj që më herët ka ndodhur që praktika e dërgimit të raporteve të inspektorit të përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë pranë Kuvendit nga viti 2003 e deri në vitin 2010 është ndërprerë dhe këto raporte janë refuzuar t’i dërgohen Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nga viti 2010 e këtej. Për 14 vjet me radhë janë fshehur raportet e inspektorit të përgjithshëm në këtë Kuvend dhe, në fund të këtij procesi 14-vjeçar fshehjeje, ndodh edhe ky akti tjetër: ai i refuzimit për t’u përgjigjur para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ose institucionit më të lartë kushtetues të republikës sonë”, tha kreu i këtij komisioni, Erion Braçe.

Inspektori i përgjithshëm emërohet nga Kuvendi dhe është autoriteti, që përgjigjet për kontrollin e brendshëm financiar në Bankën e Shqipërisë. Për këtë arsye, Elivar Golemi ishte thirrur në një seancë dëgjimore, për të dhënë shpjegime para deputetëve mbi vjedhjen e Thesarit dhe se, pse struktura që ajo drejton dështoi ta diktonte për katër vjet me radhë.

“Inspektori i përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, nga aq sa rezulton nga raportet e inspektimit të depozituara në këtë komision, nuk ka përmbushur detyrën e tij ligjore dhe kushtetuese në kontroll ligjor të brendshëm, periodik, të operacioneve dhe të administrimit të Bankës së Shqipërisë. Ashtu siç rezulton e verifikuar tashmë që nuk ka përmbushur as detyrën e çertifikimit të pasqyrave financiare periodike të Bankës së Shqipërisë”, u shpreh më tej deputeti Braçe.

Përmes një shkrese të dërguar vetëm gjysmë ore para nisjes së seancës, zonja Golemi ka vënë në dijeni komisionin për refuzimin, duke e motivuar me arsyen se nuk është ajo autoriteti që përfaqëson bankën, edhe pse nga ana tjetër është shprehur e gatshme t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve me shkrim. Një përgjigje kjo, që ka shkaktuar zemërimin e ligjvënësve socialistë në komision.

“Ne si komision t’i propozojmë kryetarit të Kuvendit dhe njëkohësisht edhe Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin nga kjo detyrë për dy arsye që përmenda: thyerje të kodit të etikës dhe njëkohësisht nuk ka kryer detyrat e saj funksionale”, deklaroi Ervin Koçi, deputet i PS.

“Kjo nuk ka bërë detyrën që i ka ngarkuar ligji. Në këtë rast mbështes edhe parafolësin, se inspektori i përgjithshëm duhet të shkojë e të shërbejë gjëkundi tjetër, jo aty ku janë vlerat monetare të popullit shqiptar”, shtoi deputeti tjetër, Arben Çuko.

Pas propozimeve për shkarkim, mbledhja e komisionit ka vazhduar me dyer të mbyllura. Në fund të saj, komisioni ka vendosur ta thërrasë sërish zonjën Golemi në seancë dëgjimore, duke lënë si afat të fundit orën 11 të së enjtes. Dhe, nëse edhe këtë herë inspektorja do të refuzojë të paraqitet, komsioni ka njoftuar se do të nisë procedurat për shkarkimin e saj.

Pas këtyre zhvillimeve, kryeinspektorja Golemi ka reaguar mbrëmjen e së mërkurës duke deklaruar se komisioni parlamentar nuk mund ta detyrojë atë të japë dëshmi pranë tij mbi aktivitetet bankare.

“Dëshmia është një koncept proçedurial penal dhe jo administrativ. Nuk mund të jem e pranishme në Komisionin e Ekonomisë për të dëshmuar”, ka thënë Golemi.

Përmes një njoftimi për shtyp, ajo ka bërë me dije se është e gatshme t’i përgjigjet me shkrim çdo kërkese për informacion që mund të vijë në adresë të saj. 

Top Channel