Basha-PS, përplasje për bashkinë

03/09/2014 00:00

Lulzim Basha nuk ndalet së akuzuari kryeministrin për investime të pakryera nga Bashkia e Tiranës në kopshte e çerdhe, apo projekte të tjera të premtuara prej tij.

Teksa ka inaguruar kopshtin numër 40 në kryeqytet, Basha tha se një numër jo i vogël kopshtesh ishin buxhetuar për vitin 2014, por u penguan sipas tij nga ish-kryebashkiaku kryeministër, të cilin e cilëson arkitekt të bllokimit.

“Këtu ka arritur niveli i luftës politike, që Edi Rama i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë Bashkisë së Tiranës. Ky nuk është vetëm kryeministri më armiqësor, ndaj qytetit që ka drejtuar vet për 11 vite, por është edhe kryeministri më gënjeshtar, më mashtrues. Pretendon se nuk e njeh realitetin, kur është vet arkitekti i këtij problemi. Edi Rama bllokoi me urdhër politik buxhetin e Bashkisë së Tiranës, një fakt i njohur botërisht. Pa asnjë justifikim, deri sa Gjykata Administrative në nivel Apeli e zhbllokoi atë”, u shpreh Lulzim Basha.

Basha kujton çdo ditë se kishte premtuar zgjatimin e Bulevardit të ri për qytetarët, tramvajin, terminalin multimodal e të tjera si këto, premtime të cilat i shpalosi që në fushatën zgjedhore të vitit 2011.

“Sepse nuk i duron dot veprat e mëdha, i ka kompleks ato. Kur misioni i fondit që financon bulevardin e Tiranës erdhi këtu, mbetën të shtangur, sepse ndër 200 projekte, 100 prej të cilave në Afrikë, nuk kishin parë kurrë që një kryeministër të bllokonte pa asnjë arsye depozitimin e firmëtarëve, që është akti i fundit që lejon zhbllokimin e fondeve. Edi Rama ka bllokuar me urdhër politik terminalin multimodal të pasagjerëve, një projekt që është gati dhe për të cilin qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës nuk paguajnë asnjë lek. Kjo, sepse është me koncesion, sepse investohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe për të cilën kanë interes kompani private”, vijoi më tej kreu i Bashkisë Tiranë, Basha.

Basha akuzon se, në emër të interesave të tij politike, kryeministri i vendit bllokon punë që janë në interes të qytetarëve të Tiranës. Por Partia Socialiste, në një reagim të saj, i kujtoi kryebashkiakut se nuk ka realizuar asnjë nga premtimet e bëra në fushatë, edhe kur kryeministër ishte ende Sali Berisha.

“Buxheti i bashkisë jo vetëm që nuk është bllokuar, por ndryshe nga e shkuara mazhoranca në Këshillin Bashkiak, edhe pse kundërshtare politike e kryetarit, votoi unanimisht për miratimin e tij, duke vendosur në plan të parë interesat e qytetarëve. Por, nëse në të vërtetë është kështu, atëherë pse në dy vitet e para të mandatit të tij, kur kishte Berishën kryeministër, zoti Basha nuk bëri asnjë punë? Basha premtoi hapjen e vendeve të punës, por i vetmi vend pune i hapur prej tij ishte ai i kryetarit të PD-së për vete”, deklaroi Blerina Gjylameti, deputete e PS.

Top Channel