Përfaqësuesit e misionit të FMN-së kanë mbërritur këtë të martë në selinë e Bankës së Shqipërisë ku zhvilluan një takim të gjatë me guvernatorin Ardian Fullani. 

Ekspertët e drejtuar nga shefi i misionit Nadim Ilahi hynë në selinë e Bankës rreth orës 11 të paradites dhe kanë biseduar me Guvernatorin për më shumë se 2 orë.

Pas përfundimit të takimit, Ilahi është shprehur se në takim u diskutua për skandalin e vjedhjes së thesarit në Bankën e Shqipërisë, por pa bërë publike detaje. Sipas tij, FMN-ja do të ketë një qëndrim të qartë për këtë çështje në momentin e duhur.

Misioni i FMN-së ndodhet prej një javë në Tiranë ku ka zhvilluar takime me drejtuesit e Ministrisë së Financave, asaj të Zhvillimit Ekonomik dhe zyrtarët e Tatimeve dhe Doganave.

Kjo është hera e parë që nga publikimi i skandalit të vjedhjes,  kur zyrtarët e lartë të FMN-së takohen me guvernatorin Ardian Fullani.

Top Channel