Këshilli i Komunës së Gjinarit, në rrethin e Elbasanit, ka shtyrë për të tretën herë kërkesën e kryetarit të Komunës për dhënien e një leje zhvillimore, për ndërtimin e një fshati turistik në këtë Komunë.
Anëtarët e Këshillit e cilësuan të jashtëligjshme kërkesën e kryetarit të Komunës, pasi ajo bie ndesh me vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili ndalon dhënien e lejeve të ndërtimit dhe atyre zhvillimore deri në vitin 2015.
“Nuk është se në parim jam që ky fond prish ekuilibrat ekonomik të Komunës Gjinar, por më duket si një vendim jashtë kohe e jo në kohën e duhur. Po të kishte qenë më përpara, ne do e kishim marrë një vendin, por sot unë e gjykoj si një vendim jo në kohën e duhur”, thekson njëri prej këshilltarëve të Komunës, pasi citon edhe një gazetë, ku bëhej publik vendimi i Këshillit të Ministrave.
Kryetari i Komunës së Gjinarit pretendon se një vendim i tillë nuk bie në kundërshtim me ligjin dhe më pas, sipas tij, ai do të kalojë në sitën e institucioneve të tjera, si Prefektura e Elbasanit dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
“Propozoj t’i jepet leja zhvillimore zotit Agron për 9 shtëpi banimi dykatëshe”, deklaroi Kristaq Shqau, kryetar i Komunës Gjinar.
Nga ana tjetër, ekziston një konflikt me banorët, që pretendojnë se janë pronarë të ligjshëm të tokës, ku do të ndërtohet objekti. Banorët ndodhen në proces gjyqësor, ku kërkojnë t’u njihet pronësia, çka do të thotë se deri në vendimin e gjykatës nuk mund të ndërmerret asnjë vendim.
“Ka disa arsye që e bëjmë këtë. Procesi gjyqësor në vazhdim, hetimet në vazhdim. Toka gjithashtu është regjistruar prej vitesh në zonën kadastrale, ndaj dhe nuk mund të dalim në këtë vendim të mbështetur në këtë lloj propozimi”, tha një tjetër këshilltar.
Më pas, mbledhja ka vijuar me debate të ashpra mes banorëve, që pretendojnë pronësinë, dhe kryetarit të Komunës.
Top Channel