Shehi kundër Bashës: Jo referendume

02/09/2014 00:00

Në 24 vjet politikë aktive Dashamir Shehi është një nga ata personazhe që shumicën e kohës e ka kaluar në opozitë.

Edhe kësaj radhe ai është i vendosur për këtë, pavarësisht mendimit ndryshe nga grupimi i tij politik. Për shembull, Dashamir Shehi kundërshton hapur idenë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të tentuar rrëzimin e ndarjes së re territoriale me referendume lokale.

“C’do të bëjmë për këtë betejë? Sepse ka ide për referendum. Unë nuk jam për referendum. Do t’i bëjmë gati PS-së, kësaj mazhorance edhe kaq të ekzagjeruar, një fitore në tavolinë? Nëqoftëse do të bëjmë referendum për 1 apo 2 muaj, kjo domethënë që është prova gjenerale e zgjedhjeve. Populli shqiptar i interpreton politikisht çfarëdolloj votimi. Ky është realiteti. Dhe që ne të shkojmë në votim të provojmë me duart tona sa të fortë jemi pa ardhur dita e votimit, për mua është e gabuar”, shpjegon Shehi.

Për Dashamir Shehin një lëvizje e gabuar është edhe çdo dyshim publik i shfaqur nga Partia Demokratike për mospjesëmarrje në zgjedhje. Akt ky që, siç kujton zoti Shehi, nuk ka ndodhur as në vitin 1997, as në momente të tjera të vështira të jetës politike shqiptare, kur Parlamenti është bojkotuar nga demokratët dhe nga socialistët.

“Kjo demokraci gjysmake që kemi në Shqipëri është edhe falë këtyre që përmenda. Të mos shkosh në zgjedhje është të mos pranosh sistemin demokratik  dhe të mendojmë që punët e Shqipërisë t’i zgjidhim në një formë tjetër”, theksoi Shehi.

Megjithëse nuk është nga ata opozitarë të bindur se kryeministri Edi Rama është ai që dirigjon dhunën kundër opozitës në Parlament, Dashamir Shehi ka keqardhje për përbërjen e këtij Parlamenti, për të cilin kishte shpresuar se do të ishte më i mirë, për shkak të pushtetit të kryetarëve mbi listat e deputetëve: “Shpresoj që herën tjetër punët të jenë më mirë, por nuk mjafton të shpresosh. Realisht, Parlamenti shqiptar ka brenda njerëz të cilët kanë për zanat dhunën dhe jo politikën.”

Dashamir Shehi është i vetëdijshëm se ka një ngërç edhe në fushën e opozitës, për shkak se disa prej figurave të saj të rëndësishme qëndrojnë inaktivë në sallën e Parlamentit. Megjithatë, zoti Shehi beson se me një përpjekje të re, diskutime si ai i të hënës brenda grupit parlamentar, do ta ndihmojnë opozitën të rigjejë rrugën e Parlamentit.

“Unë gjykoj që do të vijë një ditë kur PD-ja do të hyjë në Parlament. Parlamentië është një nga armët kryesore që ka opozita. Politikë bëhet edhe në rrugë, politikë bëhet në Facebook… Për të bërë propagandë pazari, Shqipëria nuk e ka më këtë luks”, analizoi Shehi.

Dashamir Shehi është konkret kur flet për parashikimin e tij se kur opozita do të hyjë në Parlament: “Unë them se do të hyjmë relativisht shpejt. Unë besoj nga fundi i këtij muaji.”

Top Channel