Kryediplomati kanadez në Tiranë

02/09/2014 00:00

Për herë të parë një ministër i Jashtëm i Kanadasë vjen për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Vizita e John Baird në Tiranë bëhet vetëm pak ditë pas bashkëpunimit në
operacionin për dërgimin përmes transportit kanadez të 10 mijë armëve,
22 milionë fishekëve dhe mortajave nga Shqipëria në Irak, në ndihmë të
forcave të sigurisë së këtij vendi, të angazhuara në luftën kundër
Shtetit Islamik.

Kontributi i Shqipërisë brenda NATO-s mesa duket po i rrit edhe kreditet ndërkombëtare vendit, kur shefi i diplomacisë kanadeze paralajmëroi bashkëpunim për një axhendë më të madhe me Shqipërinë.

“Kanadaja e vlerëson shumë partneritetin me Shqipërinë në këtë luftë që ne bëjmë kundër terrorizmit ndërkombëtar, që është një plagë e rëndë për të gjithë ne, por që do të jetë në progresin tonë”, deklaroi Baird.

“Është tregues i maturisë sonë. Ka jo vetëm përfitim politik, por është edhe një test për kapacitet tona ndërvepruese”, tha nga ana tjetër ministri shqiptar Ditmir Bushati në konferencën e përbashkët për shtyp.

Shefi i diplomacisë shqiptare deklaroi se bashkëpunimi rajonal dhe me aleatët në NATO është rritur edhe për të frenuar dhe izoluar fenomenin e rekrutimit të shqiptarëve nga ekstremistët islamikë, që në Shqipëri dhe rajon nuk kërkon vetëm masa ligjore.

“Ne nuk e kemi fshehur rekrutimin e shqiptarëve në fenomenin famëkeq. Ai ka prekur edhe vende europiane dhe më gjerë, por në ndryshim nga vendet me stabilitet ekonomik dhe social, ne kemi nevojë për rritje ekonomike dhe sociale”, theksoi Bushati.

Rritja ekonomike e Shqipërisë dhe progresi i saj drejt BE-së janë parë si rrugët më të sigurta nga diplomati kanadez për zgjidhjen e çështjes së lëvizjes së lirë, kur u pyet mbi heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe Kanadasë, vend në të cilin është zgjeruar prania e komunitetit shqiptar vitet e fundit.

Vlerësimin për kontributin e Shqipërisë ministri kanadez ia përcolli edhe kryeministrit Rama, i cili nga ana e tij vuri në dukje progresin e arritur në stabilitetin e rajonit tonë, edhe pse, siç tha ai, paqja mbetet e brishtë përballë rrezikut potencial nga rritja e ekstremizmit sot në botë. Ndaj rritja e bashkëpunimit për sigurinë brenda Aleancës së NATO-s mbetet përgjigjia e duhur ndaj ekstremizmit dhe terrorizmit.

Zhvillimet ndërkombëtare ishin në fokus të takimit edhe me kryeparlamentarin Meta, ku përveç Irakut dhe Sirisë, shefi i diplomacisë kanadeze dënoi edhe atë që quajti “ekspasioni rus për ridizenjimin e kufijve të Europës, i cili tha se për këtë kërkohet përgjigje”.

Top Channel