Në fundjavë iu dha lamtumira akademikut dhe gjuhëtarit të shquar, profesor Shaban Demirajt, i cili u nda nga jeta në moshën 94 vjeçare.
Deri në momentet e fundit edhe pse më shëndet të përkeqësuar, profesor Demiraj nuk i ndali studimet në fushën e albanologjisë. Moikom Zeqo e cilësoi ‘mohikani i fundit i gjuhësisë shkencore’. “Në arkitekturën e gjuhësisë shqiptare ai ishte një strukturë, jo çdo strukturë, por një strukturë e lidhur me themelet”, komentoi Moikom Zeqo.
Ilir Yzeiri, i cili ka realizuar një dokumentar për gjuhëtarin e shquar Shaban Demiraj, foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për jetën dhe veprën e profesor Demirajt.
Pandi Gjata: Si erdhën kujtimet e profesor Demirajt në këtë dokumentar që ju realizuat në kuadër të ciklit “Heronjtë e Shqipërisë”?
Ilir Yzeiri: Në vitin 2004, kur profesor Shaban Demiraj ishte 84 vjeç unë realizova dokumentarin për profesorin që atëherë e pata titulluar “Universiteti Shëtitës”. Unë jam i lidhur disafish me profesor Shabanin, e para unë e kam pasur pedagog, e dyta në këto vite të vetmisë së madhe të tij unë kam qenë ndër të paktët që e vizitoja shpesh sepse për mua ai ishte një figurë që më ka magjepsur, jo vetëm si pedagog, por edhe si njeri dhe shkencëtar. Do të them vetëm tre gjëra: Shaban Demiraj është rilindasi i fundit, Shaban Demiraj është figura e fundit e shkencëtarit klasik, të cilin për fat të keq nuk e kemi më. Shaban Demiraj ishte prej atyre gjenive që në fushën e tij ishte i barabartë me kolegët e tij në Europë. Mjafton t’iu them që ai zotëronte 11 ose 12 gjuhë të vjetra të Europës me të cilat kishte të bëntë për shkak të punës së tij. Ai është njeriu që rindërtoi Gramatikën Historike të shqipes dhe të gjithë këtë punë kolosale ai e bëri duke qenë autodidakt. Shaban Demiraj i përket atij brezi dijetarësh që nuk u shkollua si kolegët e tij të shquar jashtë Shqipërisë. Ai ka një histori shumë interesante, mbaron shkollën fillore në Vlorë, pastaj medresenë sepse prindërit e tij ishin nëpunës fetarë, pas çlirimit punon në ATSH dhe kishte një pasion të jashtëzakonshëm për gjuhët e huaja. Më pas ai mbaron me korrespondencë shkollën e parë të lartë në vitin 1946. Kur ai ishte në vitin e fundit jepte seminaret si pedagog në vitin e parë. Ai është shembulli klasik i gjeniut autodidakt. Profesor Shabani ishte një njeri tepër i thjesht, kur hynte në orën e mësimit si pedagog kishte një lehtësi të jashtëzakonshme për të sjellë fraza, struktura, mendime në 6 gjuhë të botës njëherësh. Por për fat të keq, siç na ka ndodhur gjithmonë me këta personalitete edhe ai pagoi një kosto, atë të tranzicionit dhe në vitin 1996, pasi kishte drejtuar për dy vjet edhe Akademinë e Shkencave doli në pension dhe për fat të keq për të nuk u kujtua askush ta ftonte qoftë për të dhënë edhe një orë të vetme seminari na universitetin që ai e drejtoi 30 vjet. Ai u la i harruar megjithëse botoi libra vazhdimisht në këtë kohë. Edhe një fakt tjetër, profesor Shaban Demiraj është ndoshta ndër të paktët, vepra e të cilit është botuar nga një akademi shkencore, siç është ajo e Vjenës. Janë botuar dy vepra të tij “Gramatika Historike e Shqipes” dhe “Historia e Gjuhës Shqipe”. Të huajt kishin një respekt të jashtëzakonshëm për këtë kolos të gjuhësisë shqiptare.
Pandi Gjata: Një hero më pak për të gjithë ne, por që vepra e tij flet dhe ky dokumentar flet shumë apo jo?
Ilir Yzeiri: Dokumentari në atë kohë u shfaq në disa kanale, pasi ashtu ishte edhe kontrata, por më pas unë nuk kam parë të ketë pasur vepra dhe për Profesor Shabanin për atë jehonë që meritonte. Profesor Shabani do të kujtohet gjatë sepse ai është në të gjitha tekstet që studiojnë historinë e gjuhës shqipe dhe emri i tij ashtu si i Çabejt, i Budës apo i Kostallarit, me gjithë mendjelehtësinë që ne tregojmë duke dashur që t’i harrojmë për shkak të rutinës ballkanike dhe shqiptare që kemi, ata ndodhen në veprat që kanë lënë. Ai kishte një fuqi, një mprehtësi dhe një kthjelltësi edhe në këtë moshë, do të doja të kishte qenë më i pranishëm. Kini parasysh një gjë, këto vite janë diskutuar probleme të historisë së Shqipërisë të gjuhës shqipe, ai është mënjanuar dhe asnjëherë nuk është marrë mendimi i tij. Këto figura duhet të jenë të pranishëm në ligjërim publik dhe të mënjanojmë ligjërimin jo të përshtatshëm
Top Channel