Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte i ftuari i parë në këtë sezon të ri në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, e cila është rikthyer në Top Channel.

Zoti Balla foli për sfidat kryesore të mazhorancës për këtë sesion të ri, duke thënë se fokusi qendror i saj do të jetë reforma në drejtësi dhe implementimi i reformës territoriale dhe bashkëshoqërimi i saj me ligje të tjera. Gjithashtu Balla foli edhe për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, për të cilën ai tha se mazhoranca po e analizon me vëmendje këtë rast dhe, kurrsesi, ai nuk është harruar.

Pandi Gjata: Cilat janë sfidat për këtë mazhorancë dhe reformat kyçe ku ju do të fokusoheni në këtë sezon të ri?

Taulant Balla: Është e vërtetë që prej sot fillon sesioni i radhës i kësaj legjislature parlamentare dhe është krejtësisht e natyrshme që çdo mazhorancë të përcaktojë se cilat janë prioritetet. Prioriteti kryesor mbetet integrimi. Fokusi kryesor, reformat që lidhen me procesin e integrimit si një aspiratë historike e gjithë shqiptarëve. Një nga standardet apo kriteret që gjithmonë është vënë në dijeni të Shqipërisë nga pala e Bashkimit Europian është çështja e reformës në drejtësi. Qeveria e ka nisur prej muajsh përgatitjen e një pakete të plotë ligjore. Dua t’ju njoftoj që sot Misioni Euralius ka filluar zyrtarisht punën pranë Ministrisë së Drejtësisë për të asistuar qeverinë shqiptare në këtë kuadër. Do të jetë një bashkëpunim shumë i ngushtë i qeverisë me kuvendin, pasi është një proces gjithëpërfshirës. Çështja e dytë dhe shumë e rëndësishme është që jo vetëm reforma territoriale që u mbyll edhe sot, tashmë me një votim shumë të rëndësishëm në Kuvendin e Shqipërisë, pavarësisht një dekreti të pakuptimtë nga Presidenti i Republikës. Implementimi i reformës territoriale dhe bashkëshoqërimi i saj me ligje të tjera, të cilët do të forcojnë pavarësinë e pushtetit lokal, do të forcojnë pushtetin lokal si një organ shumë i rëndësishëm në shërbim të komuniteteve. Kur ndërmorëm reformën administrativo-territoriale kishim në këndvështrimin tonë shërbimin më të mirë ndaj qytetarëve shqiptarë kudo që ata jetojnë. Sot shtetasit shqiptarë quhen qytetarë kudo që ata jetojnë në fshat apo qytet dhe si të tillë duhen respektuar dhe do të përfitojnë shërbime shumë të mira publike menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme lokale, menjëherë pas implementimit të një pakete të plotë ligjore që do të bashkëshoqëroi reformën. Duam ta kuptojmë që reforma administrativo-territoriale nuk ishte thjeshtë një ndarje në hartë apo një minimizim i numrit të pakuptimtë të 385 njësive në 61, por është një përmirësim total i jetesës së qytetarëve shqiptarë kudo që ata jetojnë në çdo njësi të këtij vendi. Sigurisht që edhe reformat e tjera janë shumë të rëndësishme, por fokusi qendror i mazhorancës është pikërisht këtu.

Pandi Gata: Cili është qëndrimi që do të mbajë kjo mazhorancë në parlament për atë që u quajt “skandali i kësaj vere”, për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë? Kam parasysh deklaratat e zotit Braçe për ndryshime ligjore, për iniciativa parlamentare.

Taulant Balla: Është e vërtetë që ky rast dëshmoi që kuadri rregullator, monitorues i sistemit të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si banka e vetme e nivelit të parë në Shqipëri nuk ka funksionuar. Kuvendi ka për detyrë të rishikojë të gjithë kuadrin ligjor si funksionon sistemi. Duhet të kemi parasysh një gjë, që Kuvendi i Shqipërisë bën ligje dhe si të tilla ne konstatojmë që ligjet që kemi për të rregulluar këtë kuadër duhen riparë sepse ndodhi një rast ku u evidentua një problem shumë i madh. Unë bashkohem me çdo qytetar shqiptar që ndihet i agravuar me situatën aktuale dhe çështjen në fjalë. Por të jeni të bindur që mazhoranca po analizon me vëmendje këtë rast, Komisioni i Ekonomisë dhe unë e përgëzoi dhe e falenderoj zotin Braçe për të gjithë vëmendjen e veçantë që i kushtoi gjatë gjithë kësaj periudhe kësaj çështjeje, duke zhvilluar edhe mbledhje të posaçme të Komisionit të Ekonomisë dhe mbledhje të tilla do të vazhdojnë menjëherë edhe në ditët në vijim. Komisioni i Ekonomisë dhe zoti Braçe do të vinë në grupin parlamentar, qoftë në mazhorancë për të pasqyruar një ‘recetë’ zgjidhjesh të kësaj situate. Kemi parasysh që janë disa faktorë të përfshirë është Guvernatori, Bordi i Mbikëqyrjes së Bankës, Inspektori i bankës, pra janë disa institucionet, ku funksionimi ndërmjet tyre duhet riparë.

Pandi Gjata: Domethënë mazhoranca nuk do ta harrojë vjedhjen e Bankës së Shqipërisë?

Taulant Balla: Mazhoranca ka ardhur në qeverisjen e këtij vendi për të mos harruar asgjë, jo vetëm këto që ndodhin sot sepse kemi detyrën morale politike, por edhe ato që kanë ndodhur në të shkuarën.

Pandi Gjata: Një pyetje për atë që ndodhi në mbledhjen e së dielës të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste që i parapriu edhe sesionit të ri parlamentar. A u shuan të gjitha problemet që pati në sesionin e shkuar, për qëndrime individuale të deputetëve, për mos prezencë në sallë? A do të jetë një grup i kompletuar që do të votojë për çdo ligj dhe në çdo seancë me vendimin e grupit?

Taulant Balla: Sot nëpër gazetat e vendit kam lexuar histori dhe interpretime të shumëllojshme të një mbledhje të zakonshme pune të një grupi parlamentar serioz, të grupit më të madh parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë, i cili në vigjilje të fillimit të punës mblidhet për të diskutuar axhendën e vet politike. Sigurisht, udhërrëfyesi ynë mbetet programi i qeverisë “Rama”dhe në kuadër të këtij programi kemi diskutuar dhe me njëri-tjetrin se si angazhimet që kemi ndaj qytetarëve t’i vendosim. I është kërkuar të gjithë deputetëve të grupit parlamentar që përveç angazhimit që kanë në kryeqytet të kenë një prezencë të domosdoshme çdo javë në zonat e tyre zgjedhore për t’u takuar me qytetarët, për t’i treguar atyre se çfarë kemi bërë në këto 300 e ca ditë. Kemi diskutuar edhe për një kuadër normativ rregullues të punës së grupit, siç është normale në çdo parti politike europiane që sot funksionon. Jemi duke bërë më së miri modelet e funksionimit të grupeve parlamentare më të mira europiane që PS-ja të përmbushi të gjitha angazhimet që ka ndaj qytetarëve. Do të ketë edhe takime ku do të jenë të gjithë deputetët e mazhorancës.

Pandi Gjata: Do të kemi mundësi të flasim për punën e ditëve në vijim të parlamentit që ju do ta keni shumë të vështirë me bojkotin e opozitës.

Taulant Balla: Personalisht mendoj si qytetar dhe jo si politikan, nuk e kam kuptuar fjalimin e Lulzim Bashës sot dhe nuk gjej dot shpjegim sepse Partia Demokratike bojkoton kuvendin dhe ndërkohë do t’i thosha që më kotë e mbledhin grupin parlamentar se vendimi për bojkotin e kuvendit u publikua para se të mblidhej grupi i PD-së.

Top Channel