Basha: Rama, bllokim i padëgjuar

02/09/2014 00:00

Ka vijuar sërish debati në distancë ndërmjet kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama.

Basha ka zgjedhur inspektimin e përfundimit të punimeve në shkollën “Ahmet Gashi” në Laprakë për të shigjetuar kryeminstrin për bllokim të investimeve të Bashkisë së Tiranës, por këtë radhë ka numëruar nota më negative se kryeminstrat paraardhës ndaj tij.

“Edi Rama ka vendosur një bllokadë të padëgjuar ndonjëherë. Atë që nuk e ka bërë asnjë kryeministër në historinë e Shqipërisë, as Fatos Nano, as Aleksandër Meksi, as Sali Berisha, as Pandeli Majko dhe as Ilir Meta. Ish-kryebashkiaku Rama ka bllokuar çdo vepër publike në Tiranë. Mes pushtetit vendor dhe atij qendror gjithmonë ka pasur fërkime dhe mosmarrëveshje, aq më shumë kur dy pushtetet i përkasin ngjyrave të ndryshme politike, por kurrë më parë një kryeministër nuk ka arritur nivele të tilla papërgjegjshmërie. Po ndëshkon kolektivisht një qytet të tërë për shkak të mllefeve të tij politike”, deklaroi Basha.

Basha përmend si argumenta për akuzën e tij bllokimin e bulevardit, terminalin multimodal të pasagjerëve, dhënien me koncesion të mbledhjes dhe përpunimit të mbetjeve.

Por, nuk ka vonuar shumë kryeministri Edi Rama që nga Elbasani, përmes Tëitter-it është shprehur se “Kryebashkiaku më kot që ka pasur Tirana flet në hava për bllokada imagjinare, kurse me këmbë në tokë bën apo lejon dëme jashtë imagjinatës”, duke nënkuptuar lejet e ndërtimit që ka firmosur Basha për komplekse pallatesh tek zona e Liqenit Artificial.  

Bashkiakët akuzojnë Ramën

Përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës akuzuan sot kryeministrin Edi Rama për lejen e ndërtimit dhënë prej tij në kohën kur ishte në krye të Bashkisë.

Ata iu referuan ndërtimeve në sheshin “Nënë Tereza” të cilat Rama i cilësoi çibanë, por sipas bashkiakëve aktualë, dikur e kanë marrë lejen nga dyshja Rama-Shkreli.

Zv/kryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, theksoi: “Disa ditë më parë, Edi Rama akuzoi Bashkinë e Tiranës për ndërtimet në sheshin “Nënë Tereza”, sipas tij çibanë që ia kishin prishur bukurinë sheshit dhe i kishin vjedhur qytetarëve hapësirën publike. Dy dokumente që unë zotëroj vërtetojnë se lejen për çibanë të tillë e ka lëshuar Artan Shkreli dhe Edi Rama. Edi Rama, ky kampion i gënjeshtrës, ka një strategji në kokë: të përbaltë Bashkinë e Tiranës, ta bllokojë atë në çdo veprim të saj.”

Top Channel