Basha: Kthimi në Kuvend, me kushte

02/09/2014 00:00

Partia Demokratike beson se mazhoranca e rëndoi situatën politikë, kur – sipas saj – rrëzoi me vendim partiak dhe pa argumenta ligjore dekretet e Presidentit. Lulzim Basha beson se ky do të ishte një shans reflektimi për shtetin ligjor nga mazhoranca.

“Por, zgjodhi të mos e bëjë këtë, sepse është e verbuar nga kllapia e Edi Ramës për të qeverisur vendin pa opozitë, ose me opozitë dekorative. Kryeministri, njeriu që ka për detyrë t’i mbrojë njerëzit, të mbrojë dhe të përparojë jetën parlamentare, është sot shkatërruesi i jetës parlamentare. Sot në Shqipëri nuk ka jetë parlamentare, ka një oligarki që nuk do Parlament, nuk do debat parlamentar, opozitë parlamentare, por kërkon dekor”, u shpreh kreu i PD, Lulzim Basha.

Çështjen e deputetëve, deri dje aleatë të një tryeze, por sot pjesëmarrës nëpër seancat parlamentare, e dënoi edhe kreu republikan Fatmir Mediu.

“Ajo që është e turpshme është fakti që kryeministri tenton të krijojë opozita informale, thjesht sa për të krijuar idenë që këtu ka edhe qëndrime të tjera, jashtë Parlamentit, të mënyrave të ndryshme apo interesave të ndryshme. Por, rolin e opozitës nuk e përcakton dot kryeministri, e ka përcaktuar vet opozita me qendrimet që ka mbajtur. Ecurinë e këtyre qëndrimeve do ta ndjekë”, u shpreh kreu i PR, Mediu.

Pas një tjetër mbledhjeje të gjatë, opozita vendosi të ecë paralel me axhendën e Kuvendit për shyrtimin e ligjeve, por oponencën e tyre do ta bëjë me grupe pune, jashtë Parlamentit. Këtë qëndrim, zoti Basha e argumenton si më të përgjegjshmin e opozitës, për sa kohë krerët e mazhorancës Rama dhe Meta, sipas tij, i mohojnë opozitës edhe të drejtën e fituar, kushtetuese, për ngritjen e komisioneve hetimore dhe nuk zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Më thuaj cili është roli i opozitës në një Parlament të tillë? Të jetë pjesë e fotografisë së oligarkëve, për t’ia paraqitur botës gjoja si funksionim të jetës parlamentare? Kur jetë parlamentare nuk ka, kur kryeministri shkelmon dy zonja socialiste për të futur të dënuarin për prostitucion dhe rrëmbim, me qëllimin e vetëm që ta përdorë si xhandar kundër fjalës së lirë dhe kundër opozitës, sa herë që opozita të denoncojë me fakte dhe argumenta të vërtetat. Dhe vet kryeministri nuk mban përgjegjësi, nuk thotë asnjë fjalë, pra i del për zot”, u shpreh më tej zoti Basha.

Asnjëri prej 2 aleatëve nuk preferon të diskutojë kohën, kur opozita do të kthehet në Parlament, por ata thonë se kanë të qarta kushtet, se si opozita mund të bëhet sërish pjesë e tij.

“Nuk mendoj se është çështje që duhet të vendosim një datë. Mendoj se është momenti kur ne duhet të përcaktojmë një qëllim, për ta vendosur Parlamentin në standardet normale të një shteti normal”, deklaroi Fatmir Mediu.

“Jeta parlamentare mund të kthehet në një të tillë, me një opozitë të vërtetë dhe jo fasadë, në momentin kur shumica pranon rregullat e Kushtetutës, pranon rregulloren e Parlamentit, nuk shkelmon të drejtat e opozitës, pranon vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pranon debatin dhe replikën në Parlament e nuk godet apo të dhunojë fjalën e lirë të opozitës”, përfundoi zoti Basha.

Top Channel