Avioni i ushtrisë kanadeze që transporton arsenalin e armëve dhe municioneve që Shqipëria në kuadër të luftës kundër terrorizimit është duke dërguar në Irak është vizituar nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

E shoqëruar nga ministri i Jashtëm i Kanadasë, John Baird, ministrja u ndal në Komandën e Forcës Ajrore në Rinas, ku pasi u njoh nga afër me procesin e imbarkimit të armatimit, zhvilloi një bisedë edhe me ekupaizhin e avionit kanadez dhe përgëzoi trupat e angazhuara në këtë operacion.

Ministrja Kodheli inkurajoi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Kanadanë në fushën e mbrojtjes, duke intensifikuar më tej trajnimet e ushtarakëve shqiptarë.

Ndërsa ministri Baird theksoi se Kandaja e vlerëson maksimalisht kontributin që Shqipëria po jep në këtë operacion të rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen e popullit të Irakut dhe të rajonit të Lindjes.

Veç avionit të ushtrisë kanadeze, mësohet se dhe avionë nga shtete të tjera të Aleancës do zbarkojnë në Shqipëri për të transferuar rreth 22 milionë fishekë dhe mijëra kallashnikovë në drejtim të forcave kurde në Irak.

Top Channel