8 kantiere punimesh në Elbasan

02/09/2014 00:00

“Elbasani i ngjan një kantieri të vërtetë ndërtimi, ku po punohet nga të katërta anët për rehabilitimin e akseve kryesore brenda qytetit, të cilat janë inspektuar nga kryeministri Edi Rama”.

Kreu i ekzekutivit, për më shumë se 60 minuta, ka preferuar të shikojë nga afër të gjitha këto punime. Krahas kanalizimeve dhe trotuarëve, rrugët e reja do të ndriçohen nga këto drita, të cilat krybashkiaku Sejdini i quan një risi.

“Do të jetë të tillë, rreth 175 ndriçues për dy bulevarde. Janë me kursim energjie, të prodhuara në Itali”, deklaroi Qazim Sejdini, kryebashkiak i Elbasanit.

Në brendësi të qytetit, atje ku po rehabilitohen 3 prej 8 rrugëve, kryeministri Rama iu drejtua me një fjalë banorëve të Elbasanit, duke i quajtur këto projekte si të një rëndësie të veçantë, në një kohë kur reforma e re territoriale e zgjeron ndjeshëm Bashkinë e derisotme.

“Ne jemi zotuar këtu dhe në shumë qendra të tjera urbane, që në 4 vjet do të bëjmë për Elbasanin sa ç’nuk është bërë në 23 vjet të marra së bashku. Faktikisht, mund ta dëshmojë kryetari i Bashkisë, se shuma që qeveria ka vënë në dispozicion për gjithë këto projekte, që janë tani në rrugën e realizmit në Elbasan, është më e madhe se shuma që Elbasani ka përfituar nga qeveria në Tiranë, në 10 vite e kusur të marra së bashku. Vetëm sot! Bashkia e Elbasanit përfiton drejtpërdrejt për 8 projekte, që janë projekte zhvillimi afatgjatë”, theksoi kryeministri Edi Rama.

Duke përshkuar në këmbë qendrën e qytetit, Rama, krahas takimit me qytetarët, ka parë edhe lyerjen e fasadave të pallateve, siç bëri edhe vet ai vite më parë, kur ishte kryebashkiak i Tiranës. Në të djathtë të Bulevardit Qendror, një tjetër rrugë në ndërtim e sipër, ku kryeministri ndalet.

“Edhe trotuaret të jenë të gjera, jo si ato të Berishës, ku burri ecën përpara dhe gruaja përpara”, ishte një batutë e rastit e kryeministrit Rama me kryebashkiakun Sejdini.

Stadiumi “Elbasan Arena”
Rama: Do të ndjek ndeshjen përballë Danimarkës, më 11 Tetor

Pjesë e vizitës në Elbasan për kryeministrin Edi Rama ishe edhe ndjekja e punimeve në stadiunin “Elbasan Arena”, shtëpinë më të re të kombetarës shqiptare. Inxhinjerët zbatues i kanë konfirmuar kryeministrit se gjithçka do të jetë gati për ndeshjen e 11 Tetorit kundër Danimarkës.

I pyetur nga Top Channel, nëse vet kryeministri do të jetë më 11 Tetor në këtë stadium për të parë kombëtaren shqiptare, kreu i ekzekutivit u shpreh: Besoj se më takon të jem dyfish, edhe për të parë përfundimin me sukses të kësaj vepre realisht shumë domethënëse për Elbasanin, por edhe për të parë ndeshjen. Jam shumë i impresionuar nga cilësia dhe shpejtësia e punës dhe nga fakti që, ndërkohë që kombëtarja rrezikonte të mbetej jetime dhe të trokiste rrugëve të Europës për të gjetur fushë për të luajtur, ne garantuam në një kohë rekord që kombëtarja të luajë në Shqipëri, dhe shtëpinë ta ketë ku më mirë se në Elbasan”, deklaroi kryeministri Rama.

Top Channel