PD: Nuk shkojmë në Kuvendin e dhunës

01/09/2014 00:00

Mbledhja e parë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për këtë sesion të ri ishte një axhendë opozitare, që do të zhvillohet e gjitha jashtë Parlamentit. Rikonfirmimit e vendimit të mëparshëm e bëri publik kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama për atë që e quan qëndrim anti-demokratik dhe konfrontues me opozitën.

“Kryeoligarku Rama kërkon nënshtrimin e opozitës ose përplasjen me të. Asnjë qëlim tjetër nuk mund të ketë një qeveri kur vetëm shkel ligjet. Nënshtrim as ka patur as do të ketë kurrë. Përplasjet i kemi shmangur dhe do të bëjmë çmos që t’i shmangim, megjithë presionin e publikut që është në rritje. Prish tempullin e demokracisë dhe mbron krimin që e kontrollon dhe kontrollohet. Prandaj ne nuk shkojmë në Parlament. Le të flasë ai më vete sa të dojë atje. Opozita do të jetë publike, dhëmbë për dhëmbë, duke qëndruar si një opozitë europiane”, deklaroi Basha.

Një opozitë e tillë do të thotë kundërshtimi me të gjitha format demokratike i çdo veprimi apo ligji të qeverisë, që ka për qëllim, sipas kreut të demokratëve, konsolidimin e një regjimi oligarkik dhe cënimin e themeleve të demokracisë. Lëvizja më e afërt do të jetë ankimimi në Gjykatën Kushtetuese i 5 ligjeve të kthyera nga presidenti, ku vëmendja më e madhe shkon tek ndarja e re territoriale për shkak të ndikimit të saj tek zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Do t’i ankimojmë një për një këto akte në Gjykatën Kushtetuese, duke nisur me hartën elektorale. Kemi marrë masat dhe kemi vënë nëë lëvizje referendumet lokale. Do t’i luftojmë, t’i përballim me ligjet, me gjykatën, me forumet dhe dmoracitë popullore, me protesta. Me Kushtetutë në dorë është motoja jonë”, tha Basha.

Duke mos qenë në Parlament, opozita duket e vendosur për të mos u kthyer në një opozitë dekor, siç quan indirekt zoti Basha ish-aleatët e PDIU-së, të cilët votuan pro reformës territoriale. Ky ishte një rast që kreu i opozitës të rikonfirmojë teorinë e opozitës së bazuar tek parimi i reciprocitetit në raport me veprimet e qeverisë.

“Kush mbjell erën do të korrë furtunën, kush mbjell furtunën do të mbjellë tsunanim. Kanë dështuar me premtimet prandaj kanë filluar beteja kundër së vërtetës. Do të jetë vaterloja e oligarkëve të Tiranës. Opozita dhe qytetarët janë dhe do të jenë më të fortë se oligarkët”, tha Basha.

Lulzim Basha u duk i vendosur për të bërë një opozitë jashtë Parlamentit për një kohë të gjatë. Por është herët për t’u pohuar, nëse kjo vendosmëri do të përkojë edhe me kohën e humbjes së mandateve të deputetëve pas pak muajsh.

Mbledhja e grupit të PD-së
Patozi dhe Doda: Beteja e opozitës të zhvillohet në Parlament

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike është shoqëruar me shumë diskutime, nëse vendimi për të mos u kthyer në Parlament për një kohë të pacaktuar është apo jo ai më i duhuri dhe më efikasi.

Burime pranë kësaj partie kanë konfirmuar për Top Channel se deputetët Mesila Doda, Roland Keta dhe Astrit Patozi janë shprehur hapur se Partia Demokratike duhet ta bëjë betejën e saj brenda Parlamentit, ndërsa diskutantë të tjerë kanë mbështetur bojkotin, përfshirë edhe ata që kanë kërkuar një afat se deri kur do të zgjasë mungesa e opozitës.

Deputetët Doda dhe Patozi janë shprehur se opozita duhet t’i thotë qëndrimet në Kuvend, edhe pse cilësia e këtij parlamenti dhe sjellja e mazhorancës solli arsyet e bojkotit. Ajo që deputetët kritikë shprehën tjetër ishte edhe fakti që vendimi u komunikua publikisht në fillim të mbledhjes, pa u diskutuar më parë në grup.

Ajo çfarë duket se nuk tolerohet nga asnjë prej deputetëve është paqartësia e qëndrimit të Partisë Demokratike në raport me zgjedhjet lokale, pasi deputetët që e kanë prekur si çështje e kanë cilësuar si “marrëzi politike” nëse ajo ndodh.

Gjatë javëve në vazhdim, jashtë Parlamentit, deputetët do të përqendrohen në zonat që do të kërkojnë referendum lokal për të rrëzuar ndarjen e re territoriale, një lëvizje për të cilën grupi parlamentar nuk kishte asnjë informacion derisa kryetari Basha mbajti fjalimin publik.

Kjo është nga të paktat mbledhje të grupit parlamentar, ku pavarësisht përmbajtjes, diskutohet realisht mbi shqetësimet e qëndrimeve të opozitës. Dhe mesa duket, të tilla mbledhje ku kërkohen veprime dhe vendime të rëndësishme për Partinë Demokratike do të ketë më shpesh. 

Top Channel