Në qytetin e Vlorës janë zhvilluar homazhe për aktoren Liza Laska, e cila ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Aktorja lindi më 6 shkurt të vitit 1926 në qytetin e Vlorës dhe mban titullin Artiste e Merituar.

Në karrierën e saj shënohen mbi 22 filma dhe rreth 100 role në teatër. Filmat më të spikatur të saj janë “Liri a Vdekje”, “Lulekuqet mbi Mure”, “Dimri i Fundit”, “Shtigje Lufte”, “Malet me Blerim Mbuluar”, etj.

Kolegë, të afërm, miq dhe qytetarë të ndryshëm bënë homazhe për aktoren vlonjate në teatrin “Petro Marko” të Vlorës. Gjithashtu, një kurorë me lule është vendosur në emër të kryeministrit Edi Rama.

“Një aktore e mrekullueshme, e karaktereve të veçanta. Kam luajtur bashkë me të në “Gurët e Shtëpisë Sime”, ishte diçka e mrekullueshme. Ishte një artiste që spikaste në mënyrë të shkëlqyer”, u shpreh aktorja Roza Anagnosti.

“Për mua është një figurë e jashtëzakonshme dhe e pakrahasueshme. Do ta quaja, njësoj si Vlora që quhet ‘perla e jugut’, si perlën e aktorëve të jugut”, tha aktorja tjetër Rajmonda Bulku.

Top Channel