Grupet e punës në Partinë Socialiste

01/09/2014 00:00

Mbledhja e grupit parlamentar të PS nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në Durrës ngriti 4 grupe pune për 4 çështje të ndryshme që duket se janë më të mprehta për momentin për këtë grup parlamentar.

Top-Channel ka mësuar se Grupi i punës për angazhimin elektoral të PS i është besuar sekretarit organizativ në këtë parti, Blendi Klosi, së bashku me deputetët Blerina Gjylameti dhe Musa Ulqini.

Detyrat e caktuara të këtij grupi lidhen me evidentimin e gadishmirisë së strukturave lokale në bazë, kur ka mbetur diçka më shumë se një vit nga zgjedhjet lokale të 2015-s, për të cilat në koferencën e shtypit për median kryeministri Edi Rama u shpreh se, “jo vetëm që do t’i fitojmë, por madje do të shënojmë një triumf”.

Grupi i punës për skanimin e cilësisë së burimeve njerëzore në administratë do të drejtohet nga Taulant Balla, së bashku me Namik Koplikun dhe Majlinda Bufin.

Ky grup pune merr një rëndësi të posaçme në një kohë kur pas 1 vit qeverisje maxhoranca qeverisëse është përballur me një sërë akuzash nga opozita për emërime personash me një të shkuar problematike në administratë.

Një tjetër grup është ai për cilësinë e legjislacionit, i cili do të drejtohet nga kreu i komisionit të ligjeve Fatmir Xhafaj, bashkarisht me ministren e Marrëdhënieve me Parlamentin, Ermonela Felaj dhe deputetin Armando Subashi.

Maxhoranca qeverisëse synon që deri në fund të këtij viti të kaloj në Parlament një sërë ligjesh, ku më i rëndësishmi vlerësohet reforma në drejtësi. Përballë kësaj ambicjeje, kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar kërkoi ndërtimin e një legjislacioni cilësor dhe asnjë vonesë në diskutimet nëpër komisionet parlamentare.

Dhe grupi i fundit është ai për rregulloren e mardhënieve deputetë-qeveri, drejtuar nga deputeti Eduard Shalsi, ministri Erion Veliaj dhe Erjon Braçe. Të katër këto grupe do të hartojnë nga një raport i cili do të diskutohet në mbledhjet e ardhshme të grupit parlamentar të PS.

Top Channel