Ilir Yzeiri – Padyshim që ngjarja më e rëndësishme në këto vitet e fundit është Samiti i Ballkanit, që u organizua nën drejtimin dhe patronazhin e zonjës Merkel, kancelare e Gjermanisë, vendit më të fuqishëm në Europë dhe qeverisë më të vlerësuar në demokracitë perëndimore.
Në Samitin e Berlinit, për fatin e mirë të të gjithë shqiptarëve, vendi ynë pati përfaqësimin më dinjitoz të mundshëm. Edi Rama do të mbahet mend gjatë në historinë e demokracisë shqiptare si shtetari që e përfaqësoi me dinjitet Shqipërinë në marrëdhëniet me jashtë dhe që me profilin e tij të spikatur intelektual, e përmirësoi imazhin e vendit tonë në mënyrë të ndjeshme. Në historinë e Shqipërisë ka edhe raste të tjera kur Shqipëria i ka habitur të gjithë me performancën e saj kulturore. Ndoshta krahasimi mund të duket i tepruar, por është rasti ta përmend se edhe imzot Noli, kur u paraqit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, në vitin 1920, me fjalimin e tij brilant i bindi të gjithë se Shqipëria e meritonte anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve. Atje, ai, veç anglishtes dhe njohurive të shkëlqyera, tha dhe frazën lapidar për tolerancën fetare dhe shpirtin perëndimor të shqiptarëve. Ai deklaroi se ja çfarë është kombi im, një popull me shumicë myslimane që dërgon një delegacion në Lidhjen e Kombeve të udhëhequr nga një prift ortodoks. Natyrisht, paralelizmi nuk është tërësisht i qëlluar, por gjithsesi, ai ka në thelb dëshirën e mirë që të shohim anët pozitive të shqiptarëve që na drejtojnë, sepse kriminalizimin e tyre e kemi kryer për mrekulli.
Është koha të duhemi
Kështu e titullonte një vëllim me poezi Agim Spahiu, poeti që vdiq në rrethana misterioze para shumë vitesh. Ai, me brishtësinë e tij, nuk e pranonte dot luftën e egër politike dhe ndarjen fatale që po i bëhej vendit pas viteve ‘90, ndaj, para se të vdiste, la si epitaf këtë varg të mrekullueshëm. Sot opozita shqiptare, përballë kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme, siç ishte Samiti i Berlinit, duhet të gjejë kurajë dhe të bashkëpunojë me qeverinë në mënyrë që projektet e mëdha që janë premtuar të realizohen më së miri dhe të fituar nga kjo ngjarje të jenë më në fund shqiptarët. Sot opozita shqiptare ka rastin e madh që të ndahet njëherë e mirë nga e kaluara e saj konfliktuale dhe të paraqesë profilin e saj modern të bashkëpunimit, pa hequr dorë nga opozitarizmi. Lulzim Basha nuk duhet të harrojë se ky samit po i vë në provë shqiptarët jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni. Shqipëria ka rastin të bëhet model jo vetëm për Ballkanin, por në radhë të parë për shqiptarët në rajon. Është e pafalshme ajo që ndodh në Kosovë, që, disa muaj pas zgjedhjeve, vendi nuk gjen dot hapësirën për bashkëpunim. Në sallat e Parlamentit të Maqedonisë, deputetët shqiptarë rrihen me grushte, ndërsa në Shqipëri opozita ka braktisur Parlamentin dhe e zhvillon opozitarizmin me një djalë të brishtë që reciton tekste që nuk i mëson dot përpara kamerave si të jetë në ndonjë talent show. Opozita duhet t’u tregojë shqiptarëve se ajo e do Shqipërinë dhe shqiptarët. Për këtë ajo duhet të bëjë disa hapa pas dhe të krijojë frymën e bashkëpunimit në vend. Edhe qeveria duhet të tregohet më bashkëpunuese, megjithëse, për hir të së vërtetës, sidomos në rastin e reformës territoriale, ajo e shtriu dorën e bashkëpunimit, por opozita ka zgjedhur mesa duket refuzimin.
Përtej folklorit
Gjermania nuk ka asnjë interes që të investohet për shqiptarët. Marrëdhëniet tona me aleatët dhe miqtë tanë tashmë po mësohemi që t’i vështrojmë me realizëm dhe jo me folklor. Perëndimi do një botë të sigurt dhe të zhvilluar, sepse kështu siguron edhe zhvillimin e vet dhe kështu përparon më shumë. Nga një Ballkan i mbërthyer prej korrupsionit, miteve të urrejtjes dhe konflikteve, Europa jo vetëm që nuk përfiton, por humbet shumë, sepse kjo krizë do të derdhet pastaj mbi të. Mjaft të shohësh sot se si po shpenzohet SHBA dhe Europa në konflikte si Ukraina, terrorizmi xhihadist i ISIS-it apo Lindja e Mesme që të bindesh se shqetësimi i Gjermanisë që rajoni i Ballkanit duhet të përparojë, është një shqetësim që, më së shumti, prek interesat e tyre. Mirëpo, fati e ka sjellë që në Ballkan shqiptarët të jenë një faktor përcaktues më në fund. Ne përfaqësohemi nga dy shtete dhe nga një shumicë e spikatur në një shtet tjetër. E gjithë kjo kërkon që ne shqiptarët të paraqitemi dinjitozë dhe kokulur, që partitë politike në të gjitha vendet ku ka shqiptarë të bashkëpunojnë dhe të nxjerrin në reliev në plan të parë çështjen e shqiptarëve, që nga këto projekte të mëdha shqiptarët të përfitojnë sa më shumë, në mënyrë që jeta e tyre të ndryshojë dhe ky vend që ne e këndojmë në folklor si vend i shqipeve, të bëhet një atdhe i jetueshëm, që shqiptarët të mos jenë më kombi që dallohet për emigracion e mercenarizëm.
Pak histori nga Singapori ose në vend të mbylljes
Jam i vetëdijshëm që shkrime si ky që unë po botoj sot, nuk priten mirë nga një pjesë e opinionit që kërkon cinizëm, luftë, hakmarrje që e sheh këtë vend si një arenë ku ndeshen gjelat dhe se po të kërkosh pajtim ke prishur tharmin e spektaklit. Jam i vetëdijshëm për këtë, por dua ta përfundoj këtë shkrim me një mbresë nga Singapori. Ky qytet-shtet ka 700 mijë km² dhe sot është befasia më e madhe në botë. Kur u nda nga Malajzia dhe u bë i pavarur, udhëheqësit e saj e pritën keq, sepse vendi nuk mund t’ia dilte dot i vetëm. Në një reportazh është fiksuar udhëheqësi i vendit në atë kohë që i mbush sytë me lot kur merr vesh atë vendim. Vendi nuk kishte as ujë. Pra importonte edhe ujë. Sot Singapori është një nga katër dragonjtë e Azisë dhe vendi që ka të ardhurat më të larta për frymë në botë. Nga ai vend, për politikën e banesave popullore, fjala vjen, mësoi dhe Anglia e Theçërit. Është një vend ku në ndonjë qytet dënohesh edhe po të pështysh në tokë. Natyrisht është tjetër gjë pse Singapori ka vërtetuar se jo gjithmonë demokracia dhe tregu i lirë sjellin progres. Ai është një vend që ka kombinuar tregun e lirë me shtetin autoritar. Por kjo është një histori tjetër. Në themel është ndjenja që kanë pasur udhëheqësit e atij vendi për atdheun e tyre. Thjesht e kanë dashur vendin e tyre.
Top Channel