Zbardhet lista anti-Portugali

30/08/2014 00:00

Mesfushorët Herolind Shala dhe Taulant Xhaka janë dy prurjet e reja në kombëtare për ndeshjen kundër Portugalisë, sfida e parë kualifikuese për Euro 2016.

I pari i cili ka qenë pjesë e kombëtares tonë U-21 luan në kampionatin norvegjez me skuadrën Odd, ndërsa Xhaka vëllai i Granit Xhakës së Zvicrës, luan me skuadrën e Bazelit.

Gjatë prezantimit të listës së futbollistëve që do të jenë të gatshëm për sfidën që do të luhet me 7 shtator në Aveiro, përveç shumë rikthimeve dhe mungesave të rëndësishme si Basha apo Migjeni bie në sy dhe lënia jashtë e Valdet Ramës, lojtar i cili vetëm të premten nënshkroi një kontratë të re me gjermanët e Bundesliga 2, Munchen 1860.

“Gjatë këtyre kualifikuesve grupi i lojtarëve do të jetë më i vogël, 26 – 27 dhe ata që do të veshin këtë fanelë duhet të japin maksimumin dhe të luajnë me ekipet e tyre. Duke filluar nga tani e tutje ai që do të jetë pjesë e këtij grupi këtu, duhet të jetë totalisht i përfshirë në kauzën tonë. Duke lënë menjëanë pëlqimet dhe interesat personale, Shqipëria është fanela jonë, është flamuri ynë dhe duhet ta mbajmë sa më lart. Unë mendoj që duhet të jemi në dispozicion që të japim shërbimin tonë shokëve dhe kauzës tonë”, tha trajneri De Biasi.”, deklaroi trajneri i kombëtares, Gianni De Biasi.

Mungesa e Kristiano Ronaldos nuk shihet si plus nga trajneri i kombëtares tonë, pasi sipas tij Portugalia do ta bëjë gjithçka për të larguar shijen e hidhur të zhgënjimit në Brazil 2014.

“Duhet të përpiqemi të arrijmë objektiv final që të jemi në Francë. Për këtë duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Me Portugalinë do të jetë e vështirë, pasi është një ekip që u largua nga botërori shumë shpejt dhe besoj se kërkojnë ta nisin mirë këtë sezon. Duhet të bëjmë një lojë të zgjuar dhe të kundërsulmojmë kur të na jepet rasti. Unë nuk mendoj se duhet të nisemi për të marrë një barazim, pasi ashtu e kemi të humbur ndeshjen”, deklaroi De Biasi.

Për shkak të afërsisë gjeografike, stafi drejtues i kombëtares shqiptare ka vendosur që përgatitjet për ndeshjen me Portugalinë të nisin në 1 shtator në qytetin e La Korunjës në Spanjë.

Përfaqësuesja Kuqezi bën pjesë në Grupin I së bashku me Danimarkën, Portugalinë, Serbinë, Armeninë dhe Francën. Me këtë të fundit e cila është dhe vendi organizator, të gjitha skuadrat e grupit do të luajnë ndeshje miqësore. 

Top Channel