PD: Vazhdon inkriminimi i administratës

29/08/2014 00:00

Partia Demokratike ka denoncuar të premten një tjetër rast të kapjes së administratës shqiptare nga krimi, duke bërë përgjegjëse qeverinë Rama. Në një deklaratë për mediat, koordinatorja e PD, Silvi Bardhi ka denoncuar emërimin e një trafikanti valute në kontrollor të aeroportit të Rinasit.

“Në vitin 2009, Erjon Bojaxhi u ndalua nga policia në Rinas pasi po tentonte të nxirrte nga Shqipëria 200 mijë euro, 101 mijë korona norvegjeze dhe 20 mijë dollarë. Një sasi e madhe parash me burim kriminal, e cila nuk mund të transferohej në llogari të sigurta jashtë përmes bankave. Bojaxhi ishte një korrier që e bënte shpesh këtë punë. Çfarë mendoni se ka ndodhur me të arrestuarin nga policia në vitin 2009 në Rinas me këtë shumë të madhe parash? Me Edi Ramën, ai është bërë kontrollor në Rinas”, ka deklaruar Bardhi.

Në emër të PD koordinatorja për mediat ka ironizuar modelin që promovon kryeministri Rama në publik, duke thënë se, “sa më e errët, problematike e kriminale e shkuara, aq më e sigurtë është e ardhmja me këtë qeveri, me këtë kryeministër”.

“Ky është një nga rastet e shumta që rrëzon propagandën e zmadhuar por boshe të Edi Ramës, për meritën, shanset e barabarta. Çfarë do t’u thotë ai të rinjve të vendit, por edhe të rinjve socialistë që kanë nevojë për punë? Mos u lodhni kot për t’u bërë profesionistë, se vendet janë zënë nga zanatçinjtë e krimit”, ka shtuar Bardhi.


Reagimi i ALBCONTROL-it

ALBCONTROL i është përgjigjur Partisë Demokratike mbi akuzën se ka punësuar një shtetas i cili ka pasur probleme me drejtësinë.

ALBCONTROL sqaron se ky shtetas është punësuar në këtë institucion në muajin gusht të vitit 2012 nga qeveria paraardhëse dhe me një dëshmi penaliteti të lëshuar nga ministri i Drejtësisë së qeverisë Berisha, e ku ai rezulton i padënuar.

Më tej, ALBCONTROL ka theksuar se do të verifikojë më tej shqetësimin e zëdhënëses së PD-së dhe do të veprojë sipas Kodit Etik të kompanisë e pse jo, siç thuhet më tej, duke ndrequr problemet e rënda administrative të trashëguara nga pushteti i djeshëm i Partisë Demokratike.

Në përfundim, kompania falenderon Partinë Demokratike dhe e nxit të njoftojë edhe për raste të tjera personash me probleme ligjore të punësuar gjatë 8 viteve të qeverisjes së saj.

PS: Bojaxhi u punësua nga PD

Partia Socialiste ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike duke thënë se në të vërtetë akuzat e opozitës bien mbi vetë atë pas zbardhjes së kontratës së punës të shtetasit Erjon Bojaxhi, i akuzuar nga demokratët për trafik valute.

“Menjëherë pas deklaratës së opozitës Albkontroll ka zbardhur kontratën e punës, ku thuhet se Bojaxhi ka nisur punë më 3 shtator 2012, kur ishte PD në pushtet dhe Kryeministër Sali Berisha. Cdo shqiptar e ka të qartë që opozita është e angazhuar të hedhë baltë mbi qeverinë e sukseset e saj, por balta bie mbi atë vetë. Është e dukshme ajo që ka ndodhur, skandaloze që qeveria e PD të ketë punësuar në Rinas të njëjtin person që paska ndalur, po vetë në Rinas. PD gërmon në oborrin e saj për të nxjerrë baltën e përditëshme për të hedhur ndaj qeverisë. Nëse këto akuza janë të vërteta ato bien akoma më fort mbi vetë PD”, deklaroi deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi.

Top Channel