Policia e Shtetit ka deklaruar të premten se po vijon aksionet kundër ndërtimeve pa leje, të cilat janë shtrirë në të gjithë territorin e vendit, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës.
Në një deklaratë për mediat, nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato ka vlerësuar se këto operacione janë edhe në të mirë të qytetarëve.
“Policia e Shtetit po vazhdon operacionet kundër ndërtimeve pa leje, në kuadër të të cilave në orët e fundit 3 persona janë proçeduar në gjendje të lirë, 7 janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë arrestuar”, ka thënë Qato.
“Policia po kryen detyrat e saj për mbrojtjen e territorit në interes të qytetarëve të Shqipërisë, duke nxjerrë përpara përgjegjësisë personat e përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, ka shtuar numri dy i Policisë së Shtetit.
Një ditë më parë policia njoftoi se gjatë operacionit për goditjen e krimit mjedisor kishte evidentuar 155 ndërtime pa leje dhe proçeduar penalisht 156 persona.
Për 21 persona, të cilët nga verifikimet e kryera rezultojnë pronarë të këtyre ndërtimeve pa leje në tokë publike, shtetërore apo tokë të tjetrit, është marrë masa e arrestit në flagrancë, ndërkohë që për 130 të tjerë filloi proçedimi penal në gjendje të lirë.
Vetëm gjatë së mërkurës u proçeduan 108 persona, nga të cilët 15 u arrestuan. Numrin më të lartë të proçedimeve e ka kryer Drejtoria e Qarkut të Policisë Tiranë, që proçedoi 46 persona, nga të cilët 7 u arrestuan.
Policia ka vënë në dispozicion të qytetarëve disa mënyra për të denoncuar ndërtimet pa leje që zhvillohen në gjithë vendin. Një mënyrë është numri pa pagesë 129.
Ndërsa në kryeqytet Drejtoria e Policisë ofron si mundësi edhe faqen e saj në internet, por edhe profilin e saj në rrjetin social Facebook.
Por opozita e kritikoi qeverinë se po e angazhon Policinë e Shtetit në misione që sipas saj prodhojnë vetëm show televiziv. Duke iu referuar aksioneve për ndërtimet pa leje apo mbrojtjen e mjedisit, deputeti Helidon Bushati deklaroi tw enjten se policia është duke u larguar nga misioni i saj i vërtetë, siç është ruajtja e rendit dhe sigurisë.
“Edi Rama dhe Saimir Tahiri e kanë zhvendosur policinë duke e hequr nga arsyeja e saj e përditshme: rendi dhe siguria publike. Përdorimi i policisë si sfond qeveritar ka bërë që në terren të gjithë treguesit e sigurisë të përkeqësohen”, tha Bushati.
Top Channel