Nga Fatos Baxhaku – “Aha, gjermani i bën llogaritë mirë! Ai i bën me laps në dorë!”. Kjo fjali u tha në orët e paradites në një nga stacionet tona kombëtare televizive nga një analist, me thënë të drejtën jo edhe aq i njohur, ose më mirë jo nga ata me të cilët jemi mësuar ditë e natë. Nja tetë orë më vonë nisën kronikat që rrëfenin në pamje Edi Ramën në Berlin në krah të Merkelit dhe Barrosos. Fjalia vetvetiu të kujton edhe të kundërtën, ata që i bëjnë llogaritë pa laps në dorë, por për këtë pikë do flasim ca më poshtë.
Sipas analistit shumë nga problemet që kemi pasur në këto dy dekada e ca pseudodemokraci – ky është termi ynë – tash kanë për t’u zgjidhur. Për shembull, çalojmë nga rrugët ne? Ja ku dalin gjermanët dhe na e zgjidhin këtë punë. Ata shumë shpejt i këpusin një rrugë të re që nga Trieste deri në Pragë dhe kështu të gjithë bashkë kroatë, boshnjakë, malazezë, shqiptarë, grekë biem dakord të paktën në këtë pikë. Mirë e ka analisti. Gjermanët i kanë mbaruar me kohë e me vakt rrugët e tyre, përse të mos ndërtojnë tonat? Le t’u gjejmë punë gjermanëve ndryshe do na bien në depresion. Mirëpo çfarë ndodh paskëtaj? U bënë rrugët? Ashtu de! Po rrugët përse duhen? Ah, kjo është një pyetje thelbësore. Vërtet përse duhen rrugët? Sidomos ato që kanë nisur t’i bëjnë sot të gjëra sa s’ka më? Analisti e ka gati përgjigjen.
Mbi ato rrugë gjermano-ballkanike do të udhëtojnë në radhë të parë turistët gjermanë apo edhe më gjerë nga zona “Deutshcsprachige” (Gjermanofolëse). Mirëpo – se ore, gjërat janë të lidhura zinxhir dhe jo sikurse kujtojmë ne – turizmi e ndryshon një vend. Gjermanët që do udhëtojnë mbi rrugën, që ndërtuan vetë, do të vënë edhe kushte për pushimet e tyre të vyera. Ata do të ndërtojnë superstruktura gjigande, resorte, parajsa që nuk na i kanë zënë ndonjëherë sytë tanë të paparë. Mirëpo, çfarë ndodh pastaj? Se, sikurse e thamë, gjërat që ndodhin në jetë nuk janë gjë tjetër veçse një vijim i pandashëm ngjarjesh zinxhir.
Pastaj do të ndodhë që një vend i tillë ku vijnë të pushojnë gjermanët duhet të jetë pak a shumë në nivelin e qetësisë dhe të standardit gjerman. Kështu që ata vetë do të ndikojnë që të jemi popull më i paqtë e sidomos që të mos flemë në drekë. Atë pushimin e drekës duhet ta heqim, gjermanët nuk e kuptojnë dot në botë. Pastaj janë që janë, gjermanët, do të vlerësojnë edhe pasuritë tona minerare. Jo vetëm. Te ata nuk do shesim më gurë, sikurse kemi bërë deri më tash, porse do shesim mineral të përpunuar. Ja ku u zgjidh e gjithë puna: Gjermanët e Merkelit u kujtuan për ne. Kot qenkemi lodhur tërë këto vite.
Të njëjtën frymë shprese kishte edhe një taksist me të cilin na lidhi puna vetëm pak minuta. Ai e kishte kuptuar më thellë se analisti ynë këtë punën e vizitës së Ramës në Berlin. I lodhur nga trafiku poterexhi, taksixhiu i thjeshtë tha si me gjysmë zëri: Ah sikur të kishim nja dy muaj ca policë gjermanë, pastaj e shihnin këta që hyjnë kundërvajtje!
E gjithë kjo histori ka edhe disa elementë që duhen qëmtuar edhe jashtë humorit. Më e para nga të gjitha është që prezenca e Ramës në krah të Merkelit dhe Barrosos është pa dyshim një shenjë e mirë për Shqipërinë. Gati-gati është një autokritikë e Europës dhe Gjermanisë për cungimin e trojeve tona që nga Kongresi i Berlinit të 1878, apo që nga shprehja e Bismarkut “Shqipëria është vetëm një shprehje gjeografike dhe kaq”, për shpërfilljen gjatë viteve të komunizmit, për Borovën e 1943…
Ajo që ndodhi dje është edhe një mirënjohje për një popull që vazhdon të ëndërrojë më të mirën për bijtë e vet, për një popull që dëshiron të jetë në paqe me të gjithë pa dallim etnie, feje, race, për një popull që punon ndershmërisht brenda dhe jashtë atdheut të vet, për një popull të etur për të kapërcyer me hapa gjigante vonesën që mban mbi shpinë.
Mirëpo si të gjitha ngjarjet e rëndësishme, edhe takimi i Berlinit, rrezikon të ngjallë djajtë e vegjël në subkoshiencën tonë. Ne jetë e mot kemi qenë një popull i vogël, ose kështu ia kemi mbushur mendjen vetes për motive praktike. Jetë e mot nuk kemi bërë dot pa një forcë të madhe në krahun tonë. Ani pse dashuritë e mëdha shpërthejnë në inate të mëdha. Na ka ndodhur kështu me Italinë e Musolinit, me Jugosllavinë e Titos, me BRSS të Hrushovit, me Kinën e Maos e Ten Hsiao Pinit…
Këto ditë para takimit të Berlinit shtypi është mbushur me histori të vjetra miqësie që na lidhin me Gjermaninë. Nuk u përmend vetëm një histori e sajuar sipas së cilës Hitleri na paskësh thënë që shqiptarët janë një racë e zgjedhur ariane, sikurse ai i konsideronte vetë gjermanët. Nuk u përmend një libër i Jakov Milajt, antropolog shqiptar pronazist, sipas të cilit kafkat e malësorëve të Veriut janë shumë të ngjashme me ato të gjermanëve të Jugut.
Nuk u tha gjithashtu se me ekzistencën tonë, pra të shqiptarëve si komb më vete, publiku i gjerë gjerman a gjermanofolës, është njohur më së shumti në fillim të shekullit XX përmes librit të Karl May “Durch das Land der Skypetaren” (Përmes vendit të shqiptarëve). Ky është një libër që ish-mësuesi i letërsisë e ka shkruar pa ardhur as edhe një ditë të vetme në Shqipëri. Nëse ndokush lexon librin e kupton mirë se çfarë perceptimi kanë pasur deri vonë gjermanët e thjeshtë mbi ne shqiptarët, por të shkuara e të harruara.
Më e rëndësishme nga të gjitha është që, që të gjithë bashkë le ta shijojmë këtë moment të paparë marketingu politik, por ama aspak me hare si qëmoti, njësoj sikur tashmë e gjetëm zgjidhjen dhe o burra të rrimë rehat. Ishte një takim i rëndësishëm, një moment shumë i vlefshëm, shpresëdhënës, por ama vetëm kaq. Analisti i fillimit deri diku kishte të drejtë: Gjermania i bën hesapet me laps.
Që t’i ngjajmë sadopak ka ardhur koha të mos shohim më me sytë nga jashtë, duke i parë të tjerët nga duart, por të mundohemi të gjejmë tek ai popull çelësin që i ka shndërruar në Feniksë. Një nga këto, por ama vetëm një nga këto, është lapsi i analistit tonë. Gjëja e dytë më e rëndësishme është përveshja e mëngëve. Dhe këtë s’kemi se si ta presim nga Merkeli. Do ishte tepër.
Top Channel