Policia serbe plagos një kosovar

28/08/2014 00:00

Policia e Kosovës konfirmon incidentin e armatosur në kufirin e Kosovës me Serbinë, por thotë se ka informacione për vetëm një shtetas të Kosovës të plagosur.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu tha se ngjarja ka ndodhur të mërkurën në territorin e Serbisë dhe informacionet janë marrë nga vëllai i viktimës rreth orës 18:00.

Policia e Kosovës në bazë këtij informacioni mund të sqarojë se viktima në momentin e ngjarjes ka qenë duke prerë dru në një fshat kufitar, por që është fshat i Serbisë.

Burime jo zyrtare ndërkaq treguan se viktima ndodhet në spitalin e Nishit. Sipas zëdhënësit Sadriu, për shkak se ngjarja ka ndodhur në territorin e Serbisë nuk kanë më tepër informata dhe për këtë nuk janë informuar as nga autoritetet e Serbisë.

Ndërkohë që mediat në kosovë citojnë familjarët e një personi tjetër për të cilin nuk dinë asgjë për vendndodhjen e tij. Bëhet fjalë për Fatmir Mehmeti më herët i përmendur si i vrarë gjatë këtij incidenti.

Serbia: Akt terrorist. Beogradi shton forcat policore në kufi

Autoritetet serbe e quajnë akt terrorist incidentin në kufirin Kosovë
Serbi, ku një pjesëtar i policisë serbe dhe një shqiptar nga Kosova
ngelën të vdekur, ndërsa një tjetër i plagosur.

Ata thonë se shqiptarët në vazhdimësi futen në territorin e Serbisë për të vjedhur dru nga mali dhe se ngjarja ka ndodhur në territorin e Serbisë e jo të Kosovës. Forcat e sigurisë serbe kanë shtuar masat e sigurisë në zonën kufitare.

“Kam urdhëruar që të shkojnë forca të shumta policore në zonën e sigurisë. Ato do të mbrojnë policët tanë, banorët dhe interest vitale të shtetit tonë”, tha Nebojsha Stefanovic, Ministër i Punëve të Brendshme.

Një shqiptar i plagosur ndodhet në spitalin e qytetit të Nishit, ndërsa rrethanat ende s’janë sqaruar. Në këtë zonë ka pasur incidente edhe më parë, por forcat serbe kanë mohuar të jenë futur në Kosovë. Mediat serbe kryesisht fajësojnë shqiptarët për incidentin.

Në mes Kosovës dhe Serbisë ndodhen mjaft prona që nuk janë sqaruar se kujt i takojnë pasi me ndarje, linja kufitare shpesh ka ndarë pronat në dy pjesë. Serbia pas incidentit ka kërkuar ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare.

 

Top Channel