Parlamenti fillon me dekretet e Presidentit

28/08/2014 00:00

Një javë pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama se dekretet e Presidentit do të rrëzohen parlamenti ka njoftuar mbledhjen e Komisionit të Ligjeve këtë të premte, ku në rend të ditës janë këto dekrete.

Por opozita, e cila do të vazhdojë bojkotin ndaj parlamentit, deklaroi se mbledhja e Komisionit të Ligjeve është anti-kushtetuese. Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi iu referua Kushtetutës për të llogaritur se sesioni parlamentar nis më 1 shtator dhe çdo mbledhje tjetër pëpara kësaj date, përveç Konferencës së Kryetarëve, do të ishte e pavlefshme.

Sipas opozitës urgjenca anti-kushtetuese e mazhorancës ka lidhje me qëllimet politike të Kryeministrit.

“Asnjë Komision i Kuvendit nuk mund të shqyrtojë një çështje që nuk është miratuar në programin e punës dhe kalendarin e punimeve që është miratuar në seancë plenare. Nuk ka asnjë Kalendar të Punimeve dhe as Program  Pune, ku të jetë përcaktuar që Dekretet e Presidentit do të shqyrtohen në seancën e datës 1 shtator 2014. I vetmi kalendar është axhenda personale e  Edi Ramës i cili sillet me Shqipërinë si një oligark në oborrin e vet, ku ligji dhe Kushtetuta nuk janë asgjë para urrejtjes patologjike ndaj institucioneve të pavarura dhe etjes për të uzurpuar drejtesinë një orë e më parë”, tha Halimi.

Opozita i bëri apel mazhorancës të mos ndjekë me verbëri politike rrugën anti-kushtetuese të zgjedhur nga Kryeministri, një rrugë që sipas Partisë Demokratike po rëndon situatën politike në vend.

“Partia Demokratike i bën thirrje mazhorancës që të respektojë nen për nen Kushtetutën dhe rregulloren, të lexojë me qetësi dekretet e Presidentit, të presin ekspertizën ndërkombetare që do të analizojë një më një të gjithë paketën anti-kushtetuese dhe anti-europiane të hartuar natën dhe të ndërpresin kapjen politike të institucioneve të pavarura. Çdo hap tjetër, veçse do të rëndonte krizën politike në vend, do përkeqësonte demokracinë dhe do vinte në rrezik fatet e vendit”, shtoi Halimi.

Top Channel