Borxhet ndaj “Albpetrolit”

27/08/2014 00:00

Gjykata e Tiranës vendos sekuestro konservative mbi të gjitha llogaritë bankare dhe pronat e shoqërisë “ARMO Sh.A.”, deri në vlerën e 34 milionë dollarëve.

Më datë 26 gusht, gjyqtarja Enkeljeda Metalija (Softa) ka vendosur të pranojë kërkesën e depozituar nga kompania shtetërore “Albpetrol Sh.A.”, e cila kishte kërkuar marrjen e kësaj mase, pasi shoqëria “ARMO” prej vitit 2007 deri në vitin 2011 ka një borxh të akumuluar ndaj saj, në vlerën 3,422,466,260 lekësh.

Siç thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës, mes dy shoqërive, nga viti 2007 deri në prillin e vitit 2011 janë lidhur 9 kontrata, sipas të cilave “Albpetrol” i ka shitur “ARMO”-s produktet naftë bruto dhe gaz, ndërkohë që kjo e fundit i ka shitu produktin hollues dhe produkte të tjera.

“Marrëdhënia e biznesit ndërmjet shoqërive ka vazhduar normalisht dhe “Albpetrol” ka respektuar dhe zbatuar rregullisht detyrimet e saj kontraktore ndaj shoqërisë “ARMO”, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për këtë të fundit lidhur me detyrimet e saj ndaj “Albpetrol”. Lidhur me detyrimet e tyre të ndërsj
ellta, të dy shoqëritë kanë firmosur dhe akt rakordimet përkatëse, për vitet 2007, 2008 dhe 2009. Në këto vite shoqëria “ARMO” ka pranuar një shumë të konsiderueshme të detyrimit ndaj “Albpetrol”, shumë e cila edhe në këtë moment ka mbetur e pashlyer”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës.

Pjesë e dosjes gjyqësore janë bërë dhe pasqyrat financiare të deklaruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve nga ana e “ARMO” ku dilet në përfundimin se për vitet 2008, 2009, 2012 dhe 2013 kjo shoqëri rezulton me humbje dhe në bazë të këtyre të dhënave ajo e ka të pamundur të shlyej borxhin.

Po ashtu, rezulton se “ARMO”, e blerë ne vitin 2008 nga biznesmeni Rezart Taçi dhe e shitur vetëm një vit më parë për 50 milionë euro te kompania “Heaney Assets Corp” e regjistruar në Ishujt Virgjine Britanikë, ka një sërë procesesh gjyqësore të hapura me shoqëri të ndryshme, të cilat kërkojnë kthimin e borxheve të akumuluara ndër vite.

Top Channel