Majlinda Kelmendi, sërish kampione bote

26/08/2014 00:00

Majlinda Kelmendi shpallet për të dytin vit radhazi kampione bote në xhudo në peshën 52 kg.

Sportistja kosovare arriti të fitojë medaljen e artë në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Rusi, vend në të cilin xhudistja 23-vjeçare ka hyrë me pasaportë shqiptare për shkak se Rusia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Në finale, sportistja nga Peja mundi lehtësisht rumunen Andrea Chitu, por fatkeqësisht medalja nuk do t’i shkojë shtetit të Kosovës, pasi Kelmendi vazhdon të garojë nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Ky është trofeu i dytë që Majlinda Kelmendi merr gjatë vitit 2014. Më parë, ajo doli Kampione Europe po në këtë peshë në Montpellier.

Të enjten do të garojë në këtë kampionat një tjetër sportiste nga Kosova. Bëhet fjalë për 22-vjeçaren Nora Gjakova e cila do të garojë në peshën 57 kg.  

Top Channel