Barça, dy herë Messi dhe Munir ndaj Elches

25/08/2014 00:00

Barcelona nuk gabon dhe e nis me hapin e duhur La Ligën e sezonit 2014-15.

Në “Camp Nou”, ekipi “blaugrana” mposht 3-0 Elchen e ardhur nga Segunda Division, falë dygolëshit të të zakonshmit Leo Messi (ky është viti i tretë radhazi që “pleshti” e nis me dopietë), si dhe një goli të talentit më të ri Munir.

Ndeshja ishte nën kontrollin e plotë të katalanasve nga fillimi deri në fund dhe, pavarësisht kartonit të kuq një minutë nga fundi i pjesës së parë të Mascheranos, për një ndërhyrje të gabuar si lojtar i fundit, të besuarit e Luis Enriques nuk e vënë asnjëherë në diskutim rezultatin.

Enrique duhej ta niste sezonin e ri pa tre lojtarë, njëri më i rëndësishëm: Neymar, si dhe Suarez e Piquet, por uruguajani dihet që është i pezulluar. Edhe pse Messi shënoi 2 gola dhe mori lëvdatat e radhës, ai që ra më shumë në sy ishte talenti Munir, i cili veç golit të shënuar, goditi edhe traversën në minutën e 22-të, pas të cilit traun e portës e tronditi edhe Iniesta.

Ndërkohë rezultati u zhbllokua 3 minuta nga fundi i pjesës së parë, për t’u “blinduar” më pas në të dytën. Ndërsa sot zbresin në fushë dy ekipet e Madridit, Real dhe Atletico.

Top Channel